• |
ide | kryesore

Pajiste turqit me dokumenta false për në BE, zbulohet bullgari në Durrës

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Pas arrestimit të 6 qytetarëve turq që kanë tentuar të kalonin kufirin nga Porti i Durrësit me dokumente të falsifikuara, Policia ka hetuar dhe ka arritur të zbulojë se personi që i falsifikonte dokumentet për t’i kaluar të huajt në vendet e BE-së ishte një bullgar.

Policia e Durrësit njoftoi se zhvilloi një operacion të koduar si “Identiteti”, që bëri të mundur vetëm identifikimin e bullgarit F.S, 53 vjeç, por jo arrestimin e tij, pasi ai ishte larguar nga vendi ynë. Ndaj, në bashkëpunim me policitë homologe vijon puna për kapjen e shtetasit bullgar të shpallur në kërkim.

Hetimet nga Krimi Ekonomik vërtetuan skemën e falsifikimit të dokumenteve dhe e përdorimit të tyre. Sipas Policisë, “53-vjeçari dyshohet për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.

Ai ka ndihmuar nëpërmjet falsifikimit të dokumentave, 6 shtetas turq, të cilët janë arrestuar në flagrancë, pasi kanë tentuar të kalojnë kufirin në PKK Durrës, me karta identiteti bullgare të falsifikuara, për në zonën Schengen. Dosja e tij i kaloi Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për hetime të mëtejshme.”

Tentativa për kalimin e kufirit

Më 7 prill, katër të rinj turq kanë tentuar të kalojnë kufirin nga Porti i Durrësit për t’u nisur me traget drejt Italisë, me dokumente të falsifikuara. Të katër janë kapur dhe tani akuzohen për falsifikimin e letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave.

Policia Kufitare e Portit të Durrësit njoftoi të enjten se goditi 4 raste në tentativa për të kaluar kufirin me dokumente të falsifikuara. U arrestuan katër persona: M.T, 34 vjeç, K.S, 25 vjeç, Y.S, 31 vjeç dhe T. S, 32 vjeç të gjithë banues në Turqi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *