• |
ide | kryesore

“Villareal na fali, do ta ndëshkojmë”: Nagelsmann kërcënon, Emery replikon “jemi gati”

-Instant, Sport



Villareal e Bayern Mynih do t’i japin jetë një beteje të papritur në Allianz Arena, pasi spanjollët befasuan bavarezët në ndeshjen e parë cedekfinale në La Ceramica. “Ne bëmë shumë gabime në ndeshjen e parë, ata bënë një: na lanë gjallë. E për këtë duhet t’i ndëshkojmë. Për ta bërë këtë do të duhet një lojë krejtësisht tjetër, do të duhet shumë më tepër intensitet”. Kështu ka thënë trajneri i Bayern Mynih, Julian Nagelsmann, në prag të kthimit të çerekfinales të Champions League në Allianz Arena. Trajneri i ri tha se ishte i sigurt në lidhje me shanset për të përmbysur 1-0 që pësoi në Spanjë javën e kaluar, por pranoi se “çmimi në lojë është i lartë”, duke ditur që një dalje në çerekfinale nga kupa, nga një ekip teorikisht më i dobët do të ishte një dështim veçanërisht për të.

Kapiteni Manuel Neuer insistoi në cilësitë e skuadrës së tij, “karakterin dhe krenarinë”, duke shpjeguar se në ndeshjen e parë “ishim më shumë të pakënaqur me paraqitjen se sa me rezultatin. Lajmi i mirë është se humbëm vetëm 1-0”, shtoi portieri. Si gjithmonë, ai do të jetë një nga pikat e forta të Bayernit, i cili nuk po kalon një moment brilant pavarësisht një kampionati, që do të ishte i dhjeti radhazi, pothuaj të fituar. “Jo të gjithë janë në maksimumin e tyre për momentin – shtoi tekniku Nagelsmann -. Por është normale që kjo të ndodhë gjatë një sezoni kaq të gjatë. Do të na duhet të mobilizojmë disa virtyte gjermane në këtë ndeshje”, tha ai referuar asaj që kishte thënë Neuer. Në listën e të munguarve është qendërmbrojtësi Niklas Suele, francezi Tolisso, Choupo-Moting dhe Sarr.

Ka replikuar në konferencë për shtyp tekniku i Villareal: “Ne duhet t’i tregojmë Bayernit një respekt të jashtëzakonshëm. Do të jetë shumë e vështirë dhe ne duhet të dimë se si të përgjigjemi”. Kështu, ka deklaruar Unai Emery, në prag të ndeshjes kundër Bayernit në Champions League. “Ne e dimë se ata janë mësuar të shënojnë shumë gola në shtëpi dhe kjo është normale për ta. Ata gjithashtu kanë respekt për ne, por e dinë se nëse japin maksimumin, janë favoritët për fitoren. Ata do të ndihen të fortë dhe optimistë duke luajtur në shtëpi”, ka shtuar trajneri spanjoll. Gerard Moreno, sulmuesi i Villarrealit, pati të njëjtin qendrim nga ana tjetër: “Unë pres një ndeshje shumë ndryshe nga ajo që luajtëm në cerekfinalen e parë. Vështirësia do të jetë më e madhe. Ata duhet të rikuperojnë dhe janë një ekip i shkëlqyer në sulm. Dalin përpara me kaq shumë lojtarë. Duhet të jemi shumë të saktë. Ata do të kenë momentet e tyre dhe ne do të jemi nën presion gjatë ndeshjes”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *