• |
ide | kryesore

Atentati në Lushnjë/ Policia shoqëron 22 persona, mister autorët

Arkiva, Lajme, Të fundit



Më shumë se 24 orë pas atentatit me armë zjarri në Lushnjë ku mbeti i plagosur rëndë 44-vjeçari, Kujtim Metaj, ende mbeten mister autorët dhe arsyet e krimit.

Pas ngjarjes së rëndë, 22 persona janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e rëndë, por asnjëri prej tyre nuk ka dhënë dëshmi domethënëse në lidhje me ngjarjen.

Hetimet: 

Policia e Lushnjës nuk ka ende një pistë të qartë në lidhje me atentatin e ndodhur pasditen e së mërkurës, ndërsa dëshmitarët nuk kanë arritur të japin shumë detaje rreth autorit të ngjarjes dhe personit që e shoqëronte. Kamera të shumta të sigurisë janë sekuestruar në zonë përfshirë edhe ato të lokalit, si dhe të bizneseve të tjera përreth, por asnjëra prej tyre nuk u ka shërbyer hetuesve për të identifikuat atentatorin. Ai ka qenë i maskuar me maskë anti-covid dhe mbante syze dhe një kapuç në kokë. Policia tha se dëshmitarët kanë treguar se Kujtim Metaj kishte rreth gjysmë ore që ishte ulur për kafe, ndërsa autori hyn qetësisht dhe e qëllon me të paktën 4 plumba.

Ndonëse në lokal ka pasur edhe 4 tavolina me klientë të tjerë, atentatori e kishte të qartë shënjestrën. Pronari i lokalit ka qenë ai që e ka dërguar 44-vjeçarin e plagosur në spital, i cili pas ndihmës së parë mjekësore në Lushnjë është dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Hetuesit bëjnë me dije se Kujtim Metaj nuk ka probleme me drejtësinë. Ai punonte si shofer kamioni dhe njihet si person i qetë. Në pyetje për ngjarjen janë marrë edhe familjarët e të plagosurit, të cilët kanë përjashtuar mundësinë e ndonjë konflikti të mëparshëm. Ajo që dihet deri më tani, është se Kujtim Metaj ishte mik me Besnik Hidën, i cili mbeti i vrarë në një atentat më 1 tetor të vitit 2019, vrasje e cila dyshohet se u krye nga kundërshtarët e Aldo Bares. Krimi, sot e asaj dite ka mbetur i pazbardhur.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *