• |
ide | kryesore

Puna në shtet, mesatarisht 15 aplikantë për një vend, mosha mesatare 30 vjeç

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Vitin e shkuar për çdo vend vakant të hapur në administratën publike ka pasur të paktën 15 aplikime.

 

 

Kjo shifër është më e ulët sesa mesatarja e vitit 2020 kur për çdo vend vakant kishte të paktën 22 të interesuar. Departamenti i Administratës Publike raportoi se në total në vitin 2021 u hapën pak më shumë se 1 mijë vende pune dhe aplikimet ishin 15 mijë.

“Nga 15078 aplikime në total, janë kualifikuar për vijimin e procedurave, pas plotësimit të kritereve për pozicionet e shpallura, 50% e tyre. Numri mesatar i aplikantëve të kualifikuar për pozicion pune ka qenë 7,5” thuhet në raport.

Në finale rezulton që vetëm 85 për qind e vendeve vakante të shpallura nga administrate është arritur që të plotësohet.

Por cila është në fakt mosha e aplikantëve që duan të punësohen në administratë dhe atyre që janë në fakt pjesë e saj dhe kërkojnë ngritje në detyrë?

“Krahas të dhënave të përgjithshme të rekrutimit dhe aplikantëve, me vlerë është edhe kuptueshmëria e disa elementëve të profileve të kandidatëve. Ndaj dhe disa nga treguesit përqëndrohen pikërisht tek mosha e aplikantëve, për kategori të ndryshme pozicionesh. Nga të dhënat vihet re se mosha mesatare e atyre që aplikojnë, pavarësisht llojit të procedurës, ka qenë 31 vjeç, ndërkohë, mosha mesatare e aplikantëve për t’u pranuar në shërbimin civil ka qenë 30 vjeç dhe mosha mesatare e atyre që aplikojnë për ngritje në detyrë ka qenë 38 vjeç.

Ndërkohë, mosha mesatare e atyre të cilët kanë arritur të kalojnë me sukses një procedurë konkurrimi për pranimin në shërbimin civil gjatë vitit 2021 ka qenë 35 vjeç. Krahasuar me moshën mesatare të aplikantëve, rezulton se ata që kanë kaluar me sukses procedurën e konkurrimit kanë një moshë mesatare më të madhe. Ndryshimi midis moshës mesatare të aplikantëve dhe atyre që kanë kaluar me sukses procedurën e pranimit, është relativisht e lartë, që tregon se kandidatët me një përvojë më të madhe janë më të suksesshëm në një procedurë konkurrimi” thuhet në raport.

Një tjetër e dhënë e nxjerrë nga DAP është ajo lidhur me preferencën për t’u punësuar në shtet ku pjesa dominuese janë femra.

“Sa i takon të dhënave gjinore lidhur me përqindjen e aplikimeve, në 3897 aplikime unike, 42% e tyre janë kryer nga meshkuj dhe 58% nga femra” nënvizon DAP.



4 Comments

  1. sot per sot Shqiperia eshte vend i mundesive, kush ka pak para te investoje e do te beje biznes ne pak dite i ka mbaruar te gjitha procedurat. Taksat jan e ulta, taksat mbi kompanite ne Shqiperi luhaten diku 10-20% ndersa ne vendet e BE shkon +30%. Faktor pak negativ mbetet kualifikimi i ulet i punetoreve e plus turnaround i larte i personelit qe mund ta pengoje nje kompani te re te investoje ne trajnime te shpeshta.
    Me beri pershtypje artikulli ku per nje vend ne administrate ka mesatarisht 15 aplikime, qe ve ne dukje qe ka ulje papunesie (sdo e shpjegoja ndryshe se “puna ne shtet” ka qene gjithmone me e kerkuara). Ne nje nga vendet e zhvilluara te BE si Gjermani, Hollande, Belgjike apo Danimarke per nje vend pune ne administrate aplikojne mesatarisht 170-180 aplikante, per vendet me pak te zhvilluara si Italia, Spanja, Franca apo Portugalia ky numer kalon shpesh here dhe 1000 aplikime per nje pozicion.

    1. Nuk eshte ulja e papunesise por mosbesimi qe nuk do e fitosh ate vend pune. Sepse une kam dashur te aplikoj por nuk kam aplikuar sepse te gjithe me thone qe cdo pune eshte me mik dhe nuk ke shanse te futesh kembet ne shtet pa mik. une mik nuk kam asnje ne shtet dhe ndihem e pashprese per te gjetur nje pune.

    2. Plus qe kane ikur shume njerez.. Plus qe ka shume te pakualifikuar per te punuar ne shtet. Ke pafund cuna qe jane papune sepse nuk kane shkolle te larte. Plus qe tani jane rritur rrogat ne sherbim dhe fasoneri.. rrobaqepese 65.000 muaj, ne shtet 40.000. lol

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *