• |
ide | kryesore

“Trajneri tha të shënonim në një fletë emrat e grave e fëmijëve”: Shelvey i sigurtë se “Newcastle do jetë si City e Psg”

-Instant, Sport



Newcastle, me pak kohë dhe durim, do të jetë si Manchester City dhe PSG. Për këtë është i bindur Jonjo Shelvey, i cili në një intervistë të fundit për Sky Sports ka folur për klubin, trajnerin e ri dhe të ardhmen e tij. Në tetor, sipërmarrësi britanik Mike Ashley i tha lamtumirë St James’ Park dhe klubi i Premier League u ble zyrtarisht nga një konsorcium i udhëhequr nga PIF (Fondi për Investime Publike), që i përket princit saudit Mohammed Bin Salman, i cili do të mbajë 80% të aksionet e Magpies.

Bashkëpronarja e Newcastle, Amanda Staveley ka premtuar se do të ketë investime të mëdha në klub në të ardhmen. Dhe, në të vërtetë, në janar, pronarët e rinj shpenzuan mbi 90 milionë paund për të forcuar skuadrën dhe parashikimet janë se ata do të shpenzojnë edhe më shumë gjatë verës.

Pas blerjes, skuadra e Eddie Howe ka tejkaluar pritshmëritë në fushë dhe Jonjo Shelvey, i cili ka bërë 24 paraqitje për klubin në të gjitha garat këtë sezon, beson se e ardhmja me trajnerin e ri vetëm do të bëhet më e mirë: “Unë e dua jetën këtu, Newcastle është një vend i mrekullueshëm për të jetuar. Zakonisht bëj vetëm tre vjet dhe më pas vazhdoj diku tjetër, por këtu jam i sistemuar. Unë kurrë nuk kam pasur një trajner të tillë më parë. Gjëja e parë që bëri ishte t’u jepte të gjithëve një fletë letre ku të shkruanin emrat e grave dhe fëmijëve të tyre, si dhe të gjitha ditëlindjet tona. Ai dëshiron të dijë gjithçka për të gjithë. Jam i lumtur që ai beson tek unë dhe dua të bëj gjithçka për ta shpërblyer”.

Mesfushori vazhdoi duke shpjeguar se Newcastle mund të bëhet një klub i madh evropian: “Ky klub do të jetë i madhështor, po flas si PSG dhe Manchester City. Do të duhet kohë dhe është një proces ndërtimi, por Newcastle mund të arrijë në majë. Thjesht duhet të jemi të durueshëm. Gjithçka që dua është të jem pjesë e procesit”.

Kontrata e Jonjo Shelvey do të skadojë sezonin e ardhshëm, por 30-vjeçari konfirmon se dëshiron të zgjasë qëndrimin e tij në St James’ Park: “Dua t’i tregoj klubit se mund t’i garantoj edhe disa vite të tjera. Do të isha i lumtur të ngrija duart dhe të thosha se nuk e meritoj të jem këtu nëse do ta ndieja se nuk mund të luaj më në këtë nivel maksimal, por dua të qëndroj sa më gjatë dhe të jem pjesë e tij”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *