• |
ide | kryesore

Vidhte bizhuteri floriri dhe sende me vlerë në Tiranë, kapet autori

-Instant, Lajme, Të fundit



Një 39-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi ka vjedhur bizhuteri dhe sende me vlerë në banesa të ndryshme në Tiranë.

39-vjeçari rezulton të jetë dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.

Policia njofton se ka sekuestruar 11 ora dhe bizhuteri të tjera floriri, që dyshohen se janë vjedhur nga ky shtetas.

Gjithashtu është proceduar penalisht dhe pronarja e një argjendarie në Kamzë, e cila përvetësonte dhe shiste bizhuteritë e vjedhura.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë penale, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Gold”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. D., 39 vjeç, banues në Laknas, për veprën penale “Vjedhja”, i dënuar më parë po për këtë vepër penale.

Shtetasi G. D. është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Dollari”, duke shitur bizhuteri të cilat i kishte vjedhur në banesën e shtetasit S. R.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas kryente vjedhje në banesa, në zonën e Kombinatit, Paskuqanit dhe në zona të ndryshme të Tiranës dhe më pas sendet e vjedhura i shiste në vendin e quajtur “Dollari” dhe në një argjendari në Kamzë.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht pronarja e argjendarisë në Kamzë, shtetasja N. Z., 58 vjeçe, banuese në Kamzë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.

Gjatë kontrollit, shtetasit G. D. iu gjetën 11 ora të dyshuara të vjedhura, ndërsa shtetases N. Z. iu gjetën 5 unaza dhe 2 varëse floriri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me orat.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *