• |
ide | kryesore

Duro prishësi i festave, pas Kukësit edhe Tirana: Shehi i menduar “T’i vendosim gishtin kokës…”

-Instant, Sport



“Ndjej se nuk morëm më shumë seç duhet, sepse sot luajtëm më mirë se në ndeshjen e kaluar. Na mungoi egërsia për të shënuar. Kundërshtari e shfrytëzoi shumë mirë”. Orges Shehi nuk e ka humbur qetësinë, pas humbjes së Tiranës së tij në ndeshjen direkte me Lacin, i fortë në 12 pikët e avantazhit kur kanë mbetur edhe 15 në lojë deri në fund të kampionatit, situatë që mund t’i dhurojë titullin nëse fiton me Teutën në mesjavë: “Kjo puna e festës ka ulur përqendrimin. Javët zvogëlohen dhe ne kemi ulur luftën. Duhet t’i vëmë gishtin kokës. Është dhe merkato që ka ulur pak vigjilencën. Duhet të jemi agresiv, sepse ndryshe nuk e bëjmë dot diferencën”.

1-0 në Lac nuk i ka pëlqyer teknikut bardheblu, që për herë të parë ka pësuar humbjen e dytë radhazi në këtë kampionat: “Këta çuna e meritojnë kampionatin. Shumë lojtarë tonët kanë shumë gjëra në kokë. Kjo është e vështira për ne dhe kjo ul përqendrimin dhe grimtën. Nuk duhet të mendojmë për festën. Kurrë nuk kemi humbur dy ndeshje radhazi”.

DURO: LAÇI ME TIRANËN NUK KA DIFERENCA
“E kam thënë që në momentin që jam larguar që po të vazhdonte skuadra me ritmin e Europës, patjetër do të ishte pretendente kryesore për titullin kampion. Laçi me Tiranën nuk ka diferenca, Tirana ka më shumë vetëm Seferin. Skuadra jonë është shumë më shumë me kualitet sa i përket pjesës tjetër”. Shpëtim Duro është agresiv edhe në deklarata, ashtu si Laci i tij në fushë, pavarësisht se në këtë pikë të renditjes e kampionatit pak gjëra mund të ndryshohen. “Unë këtë skuadër e njoh shumë mirë, me detaje, kanë ardhur disa lojtarë që nuk ishin, jashtëzakonisht cilësore, si Adeleke. Ai ka pasur probleme në stërvitshmëri, po kthehet. Është Ujka, një superlojtar që ka forcuar organikën, është skuadër e plotë në të gjithë repartet. Nëse nuk prishet përsëri kjo skuadër, do të bëjë shumë mirë në Europë por edhe kampionatin që vjen”.

Tekniku është festa e dyta radhazi që prish: pasi ndaloi festën e inaugurimit të stadiumit të Kukësit me një barazim, tani Duro shtyu edhe festën e titullit të Tiranës: “Sigurisht që ishte primare dhe më gëzon se Tirana nuk duhej të festonte sot ndaj një rivali që duhej të ishte shumë më afër me pikë si Laçi. Kjo është kryesorja. Ajo që dua të them është që kam një vit e gjysmë këtu, por edhe për sot duhet të përshëndes tifozët se është ndeshja e parë që e shoh me optimizëm në një ambient të tillë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *