• |
ide | kryesore

Zyrtare/ Objektivi Euro 2024: Rangnick, nga pankina e United, zgjidhet trajneri i ri i Austrisë

-Instant, Sport



Tashmë është zyrtare: Ralf Rangnick do të jetë trajneri i ri i Austrisë: gjermani ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare duke filluar nga fundi i majit, me synimin për të sjellë kombëtaren austriake në Euro 2024. Nëse objektivi arrihet, marrëveshja me teknikun gjerman do të zgjatet automatikisht edhe për dy vite të tjera, deri në Kupën e Botës 2026. Rangnick do të vazhdojë të shërbejë si këshilltar i Manchester United, ku aktualisht është trajner i përkohshëm, deri në vitin 2024. “Mezi pres të punoj si konsulent dhe të ndihmoj Erikun sa herë të dojë”, tha ai duke konfirmuar vazhdimin e marrëdhënies me Djajtë e Kuq përkrah trajnerit të ri, ten Hag.

“Deri tani nuk kemi pasur mundësi të flasim me njëri-tjetrin, nuk kemi pasur asnjë kontakt – tha Rangnick përsëri duke folur për ten Hag – Ai është i përqendruar te Ajax, unë te Manchester United. Unë jam më se i gatshëm dhe i përgatitur për të ndihmuar, si Erik ashtu edhe këdo tjetër në klub për të ndryshuar gjithçka për mirë”. Rangnick do të marrë përsipër detyrën nga Franco Foda, i cili u largua nga kombëtarja austriake pasi nuk arriti të kualifikohej në Kupën e Botës. Rangnick do të ulet në pankinë përpara ndeshjeve të Ligës së Kombeve, në fillim të qershorit, kundër Kroacisë, Danimarkës dhe Francës.

“Është një nder për mua të marr këtë rol. Jam veçanërisht i emocionuar për mundësinë e pjesëmarrjes në Kampionatin Evropian në Gjermani me një skuadër të re dhe të uritur për sukses”. Elozheve të teknikut i është përgjigjur edhe presidenti i Federatës Austriake të Futbollit Gerhard Milletich: “Ne jemi shumë të kënaqur që kemi arritur të nënshkruajmë me një trajner si Ralf Rangnick, një ekspert i shquar ndërkombëtar i futbollit. Të gjithë jemi të bindur se ai është njeriu ideal dhe se vizioni i tij do ta cojë përpara ekipin kombëtar dhe Federatën”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *