• |
ide | kryesore

Video/ Rashford vrapoi të përqafonte Tuchel, tifozët e United tërbohen: “U impenjua më shumë aty se në fushë”

-Instant, Sport, Video



Marcus Rashford është kritikuar rëndë nga tifozët e Manchester United pas ndeshjes së barazuar 1-1 me Chelsea në Old Trafford. Lojtari shtrëngoi duart dhe përqafoi Thomas Tuchel dhe tifozët e Red Devils nuk e kanë pëlqyer fare gjestin. Kampionët e Europës hapën ndeshjen pas një ore lojë, falë golit të Marcos Alonsos. Megjithatë, avantazhi i klubit londinez zgjati vetëm dy minuta, sepse Cristiano Ronaldo shënoi golin e tij të 17-të këtë sezon.

Ndeshje zhgënjyese për Marcus Rashford, i cili luajti 79 minuta para se të zëvendësohej nga Juan Mata, i cili hyri në fushë për të luajtur kundër ish-skuadrës së tij. Në bilbilin e trefishtë nuk munguan kritikat për 24-vjeçarin, jo aq për paraqitjen e tij, por për atë që ndodhi me trajnerin e Blues.

Në fakt, kamerat filmuan Rashford duke bërë një sprint të vogël për të shtrënguar duart dhe për të përqafuar Thomas Tuchel. Një gjest i pafajshëm i sulmuesit, por që nuk i ka pëlqyer tifozëve të United. Sipas tifozëve të klubit, lojtari u impenjua më shumë për të përshëndetur dhe përqafuar gjermanin sesa në fushë.

Një sezon për t’u harruar për 24-vjeçarin, i cili ka shënuar vetëm pesë gola në 30 paraqitje, goli i tij i fundit erdhi në minutën e 93 kundër West Ham në janar. Marcus ka humbur gjithashtu vendin e tij si titullar në kombëtaren e Anglisë në muajt e fundit, për shkak të paraqitjeve të tij të dobëta. Para ndeshjes, lojtari u kritikua edhe nga ish-United Roy Keane.

Ish-mesfushori ka evidentuar se Rashford po qeshte gjatë nxemjes dhe në mikrofonat e Sky Sports tha se nuk i pëlqen ky qëndrim: “Sa herë që shoh Marcus duke bërë nxemjen, ai gjithmonë buzëqesh. Nuk më pëlqen që lojtarët buzëqeshin shumë”. Kontrata e sulmuesit me United skadon në qershor të vitit 2023, por ai mund të largohet nga klubi që në fillim të kësaj vere.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *