• |
ide | kryesore

Met Gala 2022/ Gjithçka duhet të dini

-Instant, F1, Paparazzi



Nata më e madhe e modës është shumë afër. Pas disa shtyrjeve pandemike, Met Gala 2022 do të mbahet sërish të hënën e parë të majit – vetëm tetë muaj pas ngjarjes së vitit 2021.

Ndërkohë që mezi presim të shohim veshjet e VIP-ave që janë të ftuar në ngjarjen e madhe, më poshtë po ju sjellim një përmbledhje me gjithçka që duhet të dini për natën e madhe.

Kur është caktuar Met Gala 2022?

E mbajtur tradicionalisht të hënën e parë të majit, festa e modës do të zhvillohet të hënën, më 2 maj të këtij viti. Vogue do të transmetojë drejtpërdrejt parakalimet në tapetin e kuq duke filluar nga ora 18:00 me orën lokale.

Ku do të zhvillohet Met Gala?

Galaja zhvillohet në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju-Jork dhe mbledh fonde për Institutin e Kostumeve të muzeut.

Cila është tema e këtij viti?

Tema e këtij viti është “Në Amerikë: Një Antologji e Modës”, pas “Në Amerikë: Një Leksikon i Modës” të vitit 2021. Kjo bazohet në një ekspozitë dypjesëshe nga muzeu, instalimi i dytë i së cilës do të reflektojë evolucionin e stilit amerikan dhe gjithashtu “do të eksplorojë punën e rrobaqepësve, krijuesve dhe stilistëve “, siç tha për Vogue kuratori kryesor i Institutit të Kostumeve, Andrew Bolton.

Si mund ta shikoj Met Gala-n e këtij viti?

Transmetimi i drejtpërdrejtë i Met Gala do të nisë në orën 18:00 me orën lokale dhe të transmetohet në platformat dixhitale të modës, si dhe në Instagram, Facebook dhe Twitter. Vanessa Hudgens, La La Anthony dhe redaktori i Vogue, Hamish Bowles, do të jenë pritësit.

Kush është në listën e të ftuarve?

Ndërsa Vogue e mban top sekret listën e të ftuarve deri pak para eventit të madh, Page Six Style zbuloi ekskluzivisht se Megan Thee Stallion do të marrë pjesë në galanë e këtij viti e veshur me Moschino. Katy Perry do të jetë gjithashtu e ftuar, por tha se ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë nuk do të veshë asgjë “të çmendur”. Përtej kësaj, në Met Gala shkojnë zakonisht personazhet më të famshëm, kështu që prisni shumë emra të tjerë të mëdhenj.

Cili është kodi i veshjes?

Këtë vit, gjithçka ka të bëjë me “glamurin e praruar”, pasi ngjarja do t’u kërkojë të pranishmëve të mishërojnë madhështinë e Epokës së Praruar në Nju-Jork, sipas Vogue.

Kush do të jenë bashkë-prezantues?

Blake Lively, Ryan Reynolds, Regina King dhe Lin-Manuel Miranda do të jenë bashkë-prezantues këtë vit. Tom Ford, Adam Mosseri i Instagramit dhe Anna Wintour do të vazhdojnë rolet e tyre si bashkëkryetarë nderi të Met Gala.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *