• |
ide | kryesore

Zelanda e Re rihap kufijtë pas më shumë se dy vjetësh

-Instant, Lajme, Planet



Zelanda e Re ka rihapur kufijtë e saj për më shumë vizitorë ndërkombëtarë, pas mbylljes prej më shumë se dy vjetësh, që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Njerëz nga më shumë se 60 vende të botës mund të hyjnë tani në këtë vend nëse janë të vaksinuar kundër koronavirusit dhe kanë test negativ.

Vetë qytetarët e Zelandës së Re kanë mundur të udhëtojnë brenda dhe jashtë vendit që nga marsi, ndërsa australianët janë lejuar që nga prilli. Zelanda e Re ka mbyllur kufijtë e saj qysh në mars të vitit 2020, kur edhe ka shpërthyer pandemia e koronavirusit.

Ky vend me pesë milionë banorë ka regjistruar gjithsej 713 viktima nga koronavirusi. Qeveria zelandeze ka thënë se numri i ulët i viktimave është rezultat i strategjisë së izolimit, si dhe politikave të testimit të shpejtë dhe gjurmimit. Koronavirusi, i cili shkakton sëmundjen COVID-19, ka shpërthyer për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur atë pandemi në mars të vitit 2020. Sipas të dhënave të Koronavirusit Johns Hopkins në SHBA, koronavirusi ka prekur mbi 513 milionë njerëz në të gjithë botën. Prej tyre, mbi 6.2 milionë kanë vdekur.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *