• |
ide | kryesore

Junior pushton stadiumin e Kukësit: shishet në fushë nuk ndalojnë dot Partizanin, blutë rrezikon Europën

-Instant, F1, Sport



Në sfidën për vendin e tretë, Partizani shkon të fitojë në shtëpinë e Kukësit 1-2, duke dënuar skuadrën e Longos, që tani rrezikon të përfundojë jashtë Europës. Një fitore shumë e rëndësishme e të kuqve, që falë një dygolëshi të Junior e një performance impresionuese i shkakton humbjen e tretë në katër ndeshjet e fundit veri lindorëve.

Nuk mund të shkonte më keq për Longon, në ndeshjen e shtatë radhazi pa fitore. Mehmeti në anën tjetër e con në gjashtë serinë pa humbje e këtë herë duke dominuar kundërshtarin direkt në shtëpinë e tyre të re, ku ende nuk ka provuar asnjë sukses. Të kuqtë ishin të pandalshëm në pjesën e parë, të paralajmëruar nga traversa e Junior në minutën e 3. Goditja me kokë e brazilianit për fatin e Xhikës u përplas në traun qendror, ndërsa Kukësi është i shtypur në zonën e tij dhe nëse nuk kapitullon në minutën e 15 ishte për meritë të Pëllumbit që largoi përpara vijës goditjen e Skukës, që kaloi edhe portierin, duke përfituar nga gabimi i Gj. Taipit. Goli ishte cështje kohe, e në të 26’ Partizani mori avantazhin: krosimi i Carës nga e majta ishte i përpiktë për Stenio Junior, që me kokë shënoi golin e parë. Kukësi ishte në kaos të plotë, por në lojë e mbajtën shtyllat, si ajo e goditur nga Skuka një minutë më pas. Pesë minuta nga fund erdhi edhe goli i dytë i të kuqve, sërisht me Junior, që këtë herë shfrytëzoi krosimin e Skukës, për ta dërguar me kokë në rrjetë për herë të dytë.

Partizani mbeti ritmik edhe pas rifillimit dhe Belica mund t’i kishte dhënë përmasa rezultatit, që në fakt ngushtohet papritur me një gol sporadik të Milunovic. Harkimi i Feizhaos nga e majta, mbërriti te Basha në shtyllën e dytë që goditi shtyllën e topin e rikthyer Milunoviç e depozitoi në rrjetë. Në fushë vërshuan shishet në shenjë proteste, duke e detyruar Hamitin të ndërpriste për pak minuta lojën, por kjo nuk e ndryshoi shumë rrjedhën. Partizani mbeti i rrezikshëm dhe Junior në minutën e 70’ mund të shënonte golin e tretë personal, por kënaqësinë ia mohoi Xhika. Në fund, dy kartona të kuq për Partizanin, një për protesta në pankinë për Likën dhe një në fushë në minutën e fundit të Maget. Mehmeti e sheh veten në 49 pikë, i vetëm në vendin e tretë, ndërsa Kukësi rrezikon të pësojë parakalimin e Vllaznisë e të dalë jashtë Europës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *