Liverpool, pasi kapërceu pengesën Villarreal, është zyrtarisht në finalen e Ligës së Kampionëve. Më 28 maj, Reds do të dalë në fushë në Stade de France për të provuar të fitojë trofeun më të lakmuar europian. Skuadra e Klopp duhet të përballet me fituesin e ndeshjes mes Real Madrid dhe Manchester City. E Mohamed Salah nuk ka dyshime, ai dëshiron një ndeshje kundër Blancos. Kampioni egjiptian kërkon hakmarrjen e tij, një mundësi që ai e pret që nga viti 2018.
Është e kuptueshme që sulmuesi kërkon hakmarrjen e tij. Liverpool dhe Real Madrid, në fakt, janë takuar edhe në finalen e 2018-ës. Një finale për t’u harruar për Salah, pasi atij iu desh të largohej nga fusha pas vetëm 30 minutash lojë, për shkak të një dëmtimi. Egjiptiani dhe Sergio Ramos luftuan për një top dhe, duke u rrëzuar përtokë, spanjolli e tërhoqi zvarrë me vete sulmuesin duke i shkaktuar një shembje të rëndë në shpatullën e majtë. Skuadra e Klopp, më pas, e humbi ndeshjen me rezultatin 3-1.
Tani Salah shpreson të marrë hakmarrjen e tij: “Unë dua të luaj kundër Real Madrid, duhet të jem i sinqertë – tha sulmuesi për BT Sport pas ndeshjes – Manchester City është një ekip vërtet i vështirë, kemi luajtur kundër tyre disa herë këtë sezon. Megjithatë, nëse më pyesni mua personalisht, do të preferoja Real Madrid. Ne humbëm kundër tyre në finale, dua të luaj kundër tyre dhe shpresojmë të fitojmë”.
Egjiptiani, që ka shënuar 30 gola deri më tani këtë sezon, në fund zbuloi edhe se kishte shpresuar të shënonte më shumë këtë vit: “Në fillim të sezonit kam vendosur gjithmonë objektiva. Unë e di se çfarë dua si individ dhe si grup. Në këtë mënyrë e di se si shkon sezoni im”. Rio Ferdinand më pas e pyeti nëse 30 golat dhe 15 asistet e tij ishin mbi apo nën atë që ai kishte vendosur: “Eh, më poshtë. Po, kam pritshmëri të mëdha për veten time. Sinqerisht, nuk e kam thënë kurrë këtë, por para se të fillonte sezoni, mendoja për 40 gola dhe 15 asistime. Tani më duhet të fokusohem te objektivat”.