• |
ide | kryesore

Tenderi për lotin 2 të rrugës Korçë- Ersekë fitohet me ofertë 99.97% e fondit limit

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Një tender i ri i Autoritetit Rrugor Shqiptar shpalli fitues kompaninë ANK për ndërtimin e një segmenti rrugor 6.5 metra të gjerë me gjatësi afro 12 kilometra për të lidhur Korçën me Ersekën. Rezultati i tenderit tregon se katër kompani pjesëmarrëse hodhën oferta fare pranë fondit limit, duke e futur edhe këtë tender në listën e gjatë të tenderëve pa garë reale të realizuara nga qeveria shqiptare.

Në garë morën pjesë katër kompani: ANK, 4 A-M, Gener dhe Gjoka. Të katërta hodhën oferta financiare që variuan nga 0.01 deri në 0.04% më të ulëta se sa fondi limit i caktuar nga ARRSH. Por tre nga katër ofertat u skualifikuan pasi kompanitë konkurruese nuk kishin dorëzuar një ose disa nga dokumentet e kërkuara nga ARRSH, gjë që e la ANK-në konkurrent të vetëm dhe fitues me një ofertë prej 632 mijë lekësh më të ulët se sa fondi limit prej gati 2.2 miliardë lekësh.

Tenderi, rezultati i të cilit u shpall nga ARRSh të enjten, dukshëm bie në kategorinë e tenderëve të dyshuar për marrëveshje të fshehtë mes palëve konkurruese, sipas metodologjisë së vrojtimit të tenderëve të dyshimtë të hartuar nga Bashkimi Evropian [Link].

Sipas kësaj metodologjie, rezultati i një tenderi duhet të ngrejë flamuj të kuq për autoritetet prokuruese në rast se “çmimet e ofruara nga konkurrentët jofitues janë të barabarta me çmimin maksimal të caktuar në dokumentet e tenderit ose fare pak më të ulët se sa çmimi maksimal,” si dhe në rast se “të gjitha ofertat janë shumë të afërta në çmimet e dhëna pasi kjo sugjeron se konkurrentët mund të jenë duke komunikuar me njëri-tjetrin dhe duke shkëmbyer informacion.”

Ky nuk është tenderi i parë që përfundon në këtë mënyrë në ndërtimin e rrugëve në Shqipëri. Në vitin 2015, dy tenderë u vunë nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës me dyshimin se kompanitë fituese ishin koordinuar me njëra-tjetrën për të fituar tenderët me çmime 96 dhe 97% të fondit limit, ndërsa në të njëjtën kohë u zbulua se tre segmente rrugore në unazën e Tiranës ishin fituar me çmime maksimale përmes një skeme të njohur si “tender me rotacion,” [link], në të cilin, kompanitë konkurrente ndajnë tregun duke hedhur oferta humbëse në dy nga tre garat me qëllim që të fitojnë me çmime maksimale një nga të treja./ BIRN



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *