Partia Socialiste ka reaguar pas miratimit të rezolutës së Kuvendit Kombëtar të PD-së, ku mandatonte Rithemelimin, për procesin e zgjedhjes së presidentit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Elisa Spiropali thotë se grupi parlamentar socialist nuk njeh asnjë vendim të asnjë instance që buron nga shkulmi anti-amerikan i një personazhi të listës së zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Nëse është e vërtetë që Saliu paska mbledhur një kuvend për të vendosur kusht që hyjnë në negociata për Presidentin e ri vetëm nëse pranohet kandidati i tyre, atëherë ngushëllime kuvendarëve në fjalë dhe një kujtesë nga ana jonë: Grupi Parlamentar Socialist nuk njeh asnjë vendim të asnjë instance që buron nga shkulmi anti-amerikan i një personazhi të listës së zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nuk ka ndërmend të ketë asnjë kontakt me atë burim të së keqes për Shqipërinë”- shkruan Spiropali.