Të kthyer nga ferri. Mund të ishte shtyrë edhe një 5 maj tjetër i vonuar vetëm me një ditë, por në vend të kësaj Interi vazhdon të mbajë gjallë luftën e titullit me Milanin. Një fillim i keq i ndeshjes, si një Inter i çmendur, ai ndaj Empolit, që ngriu San Siron me dygolëshin vdekjeprurës të toskanëve. Pastaj ngjitja nga humnera, duke larguar frenezinë, e duke përdorur fuqinë dhe karakterin që i dhuroi fitoren që i con zikaltrit në krye të renditjes me një pikë përpara kuqezinjve, që do të zbresin në fushë të dielën në mbrëmje në Verona. E tani presioni kalon te skuadra e Piolit, e thirrur në cështje për t’iu përgjigjur rivalit për titull.
Interi ka probleme, mbrojtja lejon të depërtohet me lehtësi çarmatosëse, por skuadra e Inzaghit korrigjon edhe një herë gabimet e veta: 22 pikët e arritura në situatë disavantazhi – një rekord evropian, i barazuar vetëm nga PSG në Francë dhe nga Hoffenheim në Gjermani në pesë kampionatet më të rëndësishme evropiane – janë prova më e qartë për këtë.
Ata që udhëhoqën përmbysjen ishin lojtarët e mesfushës, me Barella që vrapon sa për tre dhe vazhdimisht kërkon golin, një Brozovic që rivendos rregullin dhe jep ekuilibër e një Perisic të papërmbajtshëm. Pa harruar një Lautaro Martinez me një dygolësh shumë të rëndë. Pas periudhës së krizës, Toro ka shpërthyer: shtatë gola në gjashtë daljet e fundit, njëmbëdhjetë në njëmbëdhjetë ndeshjet e fundit për një total prej 23 golash: vendi i parë sezonal dhe ai në kampionat me 19 gola. Sulmuesi argjentinas, në fakt, ka tejkaluar rekordin e tij të mëparshëm në një sezon të vetëm të Serisë A, 17 gola në 2020/21. “I kemi dërguar mesazhin se jemi këtu, se po punojmë për të fituar”, tha ai për InterTV pas ndeshjes. Mesazh për Milanin, e paralajmërues për Juventusin përpara finales së Kupës së Italisë të mërkurën mbrëma në Olimpico.