• |
ide | kryesore

Poker i Laçit ndaj Kastriotit, Duro i pamundur në tetë ndeshje: Bastari gabon gjithçka e shpëton dy herë VAR

-Instant, F1, Sport



Laçi blindon vendin e dytë me 60 pikë, të paprekshëm edhe nga matematika, kur kanë mbetur vetëm tre ndeshje deri në përfundim të kampionatit. Skuadra e Duros likuidon 4-1 Kastriotin në javën e 33 të Superiores, duke e cuar në tetë serinë e ndeshjeve pa humbje, që kur tekniku u rikthye në pankinën kurbinase dhe tani mendon vetëm për finalen e Kupës me Vllazninë. Humbja e dytë radhazi e krutanëve, që kanë nevojë vetëm për një pikë në tre ndeshjet e mbetura për të shpëtuar matematikisht, gjithnjë nëse nuk duan të luajnë lojën e golavarazhit me Egnatian.

Një ndeshje e vendosur në vetëm katër minuta mes të 38 e 42 kur u firmos avantazhi i miqve e përmbysja e kurbinasve. Në minutën e 34 megjithatë u desh VAR për të zhbllokuar ndeshjen, me teknologjinë që korigjoi Bastarin, që prekjen me dorë të Roganoviç nuk e vlerësoi penallti. Pamjet e bënë arbitrin të ndryshonte mendim, duke i dhënë Ajazit mundësinë të shënonte avantazhin nga pika e bardhë. 0-1 në minutën e 38 dhe një kthesë spektakolare loje, me kurbinasit që përmbysën gjithcka në katër minuta cmenduri. Adeleke në gjysëm-kthesë la Salin të pashpresë në minutën e 40’, por ende pa u shuar mirë jehona e barazimit e bardhezinjtë shënuan të dytin me Shehun, i gjetur në perfeksion nga Deliu.

Cela megjithë zëvendësimet e bëra nuk e ndryshoi dot situatën dhe Kastrioti e pranoi verdiktin e fushës. Rezistencë bëri vetëm Sali, që edhe ai duhej të dorëzohej në minutën e 63’, në goditjen nga distanca të Qatos. Dita e keqe e Bastarit u konfirmua në minutën e 65, kur arbitri akordoi penallti për kontrastin mes Nezirit e Guindos. Edhe këtë herë arbitri ka parë keq, sepse pas kontrollit me VAR anulon vendimin e tij. Në fund, kishte kohë edhe për golin e Zarubicës, që firmosi pokerin pak para mbylljes së kohës së rregullt, duke lajmëruar rikthimin në formë pas një dëmtimi që e mbajti gjatë jashtë fushave të lojës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *