• |
ide | kryesore

Italianët e hollandezët pushtojnë Tiranën: priten 90 mijë tifozë për finalen e Conference League

-Instant, Sport



90 mijë tifozë do të vijnë nga Italia dhe Holanda. Kjo është shifra që mendohet për finalen e Conference League, kompeticionit të UEFA-s që do të zhvillohet në Tiranë më 25 maj. Në një intervistë për emisionin e mëngjesit “Wake Up”, drejtuesi i projektit të UECL, Kejdi Tomorri tregon se pas kontakteve me UEFA-n, numri i personave që do të vizitojnë Shqipërinë më 25 maj është rritur rreth 3 herë më shumë pas përcaktimit të finales Roma – Feyenoord. “Parashikimet para daljes në finale të Romës nuk kanë qenë aq të larta, mirëpo në një kontakt me kolegë të UEFA-s ditën e djeshme – shpjegoi Tomorri – mësuam se priten të vijnë nga Italia rreth 60 mijë deri në 70 mijë persona, të cilët janë pa bileta, sepse vetëm 4000 mijë do të kenë bileta për në stadium. Ndërkohë, nga Holanda, morëm një informacion nga policia holandeze dje dhe priten nga 18 mijë deri në 20 mijë persona. Do të jetë një fluks i madh tifozësh në Tiranë”.

Tomorri theksoi se pritja dhe organizimi i një finaleje të tillë në Shqipëri ka ardhur falë lobimit të fortë të FSHF-së dhe stadiumit “Air Albania” që ka “mundur” vendet e tjera aplikante për të pritur këtë finale të parë të këtij kompeticioni. “Nuk ishim ne të vetmit që aplikuam për ta marrë këtë finale, por edhe shtatë federata të tjera. Kemi mundur vende si Franca, Izraeli, Uellsi në atë kohë për disa arsye. Së pari, stadiumi është goxha modern dhe është i kategorisë së katërt, që i ka të gjitha kushtet për një finale të tillë. Nga ana tjetër, mendoj se Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s donte që të kishte një finale në Shqipëri, duke qenë se është hera e parë që ne organizojmë – vazhdoi Tomorri -. Përpos kësaj, dua të theksoj lobimin e fortë që Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë që kjo finale të vinte në Shqipëri, sepse ne nuk kemi qenë brenda kushteve të UEFA-s, për disa gjëra të tjera jashtë stadiumit (si kapaciteti i aeroportit, mobiliteti). Edhe sot që po flasim nuk kemi një linjë autobusësh, Rinas – Tiranë. Janë disa faktorë të tjerë që na penguan pak, por me ndërhyrje, me lobim, arritëm ta merrnim finalen në Shqipëri.

Në lidhje me një pikë të nxehtë dhe shqetësuese për tifozerinë shqiptare, ajo e mundësisë për pasjen e një bilete të kësaj finale historike, Tomorri ka shpjeguar: “Shitja e biletave është vetëm online dhe bëhet vetëm nga UEFA. Është një finale ekskluzive e UEFA-s dhe biletat shiten vetëm në ëebsite-n e UEFA-s. I bëj thirrje shqiptarëve, pasi sot hapet portali dhe të drejtën e para blerjes e kanë personat që aplikojnë nga Shqipëria, pasi janë më të favorizuar”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *