• |
ide | kryesore

UEFA vendosi për Super Champions: 36 skuadra e 8 ndeshje në grup nga viti 2024

-Instant, F1, Sport



Super Champions League merr formë. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s i ka dhënë dritën jeshile formatit të ri të turneut. Duke filluar nga viti 2024, do të rritet numri i skuadrave nga 32 në 36, me tetë ndeshje të garantuara për çdo klub të kualifikuar në një mini-ligë të modeluar sipas Euroligës së basketbollit. Dy nga katër vendet shtesë do t’u jepen federatave me rezultatet më të mira në sezonin e kaluar në kupa.

Në këtë mënyrë, dështuan si hipoteza se duheshin shpërblyer klubet me renditjen më të mirë historike të mbetur jashtë Champions League, ashtu edhe ideja e dhjetë ndeshjeve të garantuara në grup siç parashikohej në planin fillestar. Zgjedhjet u arritën përmes një kompromisi me klubet dhe kampionatet dhe me idenë për t’u larguar sa më shumë nga formati “elitar” i Super League.

Për më tepër, në Super Champions, UEFA ka përcaktuar se dy nga katër skuadrat shtesë që do të marrin pjesë në turne do të zgjidhen sipas një kriteri ekskluzivisht “meritokratik”. Në mënyrë të detajuar do të përdoret një formulë për të llogaritur se cili shtet ka marrë rezultatet më të mira në kompeticionet evropiane. Një sistem koeficientësh i lidhur vetëm me performancën dhe jo me historinë, me renditjen e UEFA-s të pesë viteve të fundit ose me trofetë e klubeve. Ky kriter, nëse do të zbatohej këtë sezon, do t’i jepte një vend shtesë Premier League dhe Eredivisie. Sezonin e kaluar Anglisë dhe Spanjës, dhe një sezon më parë Spanjës dhe Gjermanisë.

Por le të shohim në detaje se si do të caktohen katër vendet shtesë të parashikuara nga formati me 36 ekipe:
– Një do të shkojë për klubin në vendin e tretë në kampionatin e federatës që zë vendin e pestë në renditjen e federatave kombëtare të UEFA-s.
– Një do të shkojë për një kampion kombëtar duke rritur nga katër në pesë numrin e klubeve që do të kualifikohen përmes të ashtuquajturës “Rrugëtimi i Kampionëve”.
– Dy vendet e fundit do t’u jepen federatave me rezultatet më të mira në sezonin e kaluar në kupa (numri total i pikëve të fituara nga klubet në garat evropiane pjesëtuar me numrin e ekipeve pjesëmarrëse)

Me kalimin në 36 skuadra, faza e grupeve do të ndryshojë tërësisht, duke u kthyer në një mini-ligë me një renditje të vetme. Secilit klub do t’i garantohen tetë ndeshje kundër tetë kundërshtarëve të ndryshëm (katër ndeshje në shtëpi, katër ndeshje jashtë) në vend të gjashtë ndeshjeve të mëparshme kundër tre skuadrave vajtje/ardhje. Në fund të kësaj faze, tetë më të mirat në renditje do të kalojnë automatikisht në fazën me eliminim, ndërsa skuadrat që përfundojnë nga vendi i nëntë në vendin e 24-rt do të konkurrojnë më pas në një play-off për t’u kualifikuar në raundin e 1/8 të finales.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *