FIFA ka njoftuar se ka hapur një procedim disiplinore për të analizuar përshtatshmërinë efektive të Byron Castillo, futbollistit ekuadorian, i cili është objekt i një denoncimi nga Federata Kiliane e Futbollit, në lidhje me kombësinë e tij të vërtetë. Sipas drejtuesve të Roja, Castillo nuk është ekuadorian, por kolumbian dhe, për këtë arsye, nuk i kishte dokumentet e duhuras për të luajtur 8 ndeshje të grupit kualifikues për Katar 2022.
Kili kërkon fitoren në tavolinë për dy ndeshjet e luajtura kundër Ekuadorit, ku Castillo ka luajtur në të dyja ndeshjet (0-0 në ndeshjen e parë, 0-2 për ekuadorianët në kthim). Sigurisht që një vendim i tillë do të kishte pasoja edhe në ndeshjet e tjera të luajtura nga lojtari i Barcelona Guayaquil dhe do të çonte në përjashtimin e pashmangshëm të Ekuadorit nga Botërori, duke prishur tablonë e kombëtareve pjesëmarrëse. Renditja e grupit kualifikues të Conmebol duhet të rishikohet totalisht, me Kilin që mund të bëjë një hap të dyfishtë përpara, duke parakaluar Perunë dhe Kolumbinë (kundër të cilave Castillo nuk ka luajtur) dhe duke e gjetur veten drejtpërdrejt të kualifikuar për në fazën finale.
Federata Ekuadoriane e Futbollit kishte bërë të ditur se tashmë është kryer një hetim për falsifikimin e mundshëm të dokumenteve, por se ishte përfunduar pa u konstatuar asnjë shkelje e asnjë lloji. Një avokat që punon për FEF-në theksoi gjithashtu për mediat vendase se nëse do të dalin shkelje nga hetimi i FIFA-s, i vetmi që do të sanksionohet do të jetë lojtari dhe jo Federata, e cila përkundrazi do të ishte viktimë.
Në Kili, megjithatë, ka besim, edhe falë një precedenti: katër vjet më parë avokatët e Rojas fituan në një situatë të ngjashme, duke lejuar ekipin kombëtar të Sanchez dhe Vidal të fitonte dy pikë shtesë kundër Bolivisë për çështjen Nelson Cabrera, një bolivian i natyralizuar pa pasur kriteret e duhura.