• |
ide | kryesore

Video/ Haaland emocionon për herë të fundit tifozët e Dortmund, me… mesazh: “Një nder të vishja këtë fanellë”

-Instant, Sport, Video



Është mbyllur përfundimisht aventura e Erling Haaland me Borussia Dortmund. Java e fundit e Bundesligës në Gjermani, ndeshja e fundit e norvegjezit me fanellën verdhezi. Klubi i Dortmundit fitoi në shtëpi ndaj Hertha Berlin dhe 21-vjeçari u thotë lamtumirë shokëve të skuadrës dhe tifozëve përpara se të transferohet te Manchester City.

Sulmuesi bëri paraqitjen e tij të fundit në kampionatin gjerman dhe Borussia Dortmund kishte menduar ta respektonte lojtarin: një buqetë me lule, një mesazh falënderimi dhe duartrokitje të shokëve të skuadrës, ndërsa tifozët brohoritnin emrin e tij. Haaland u duk i emocionuar dhe më pas përshëndeti “Murin e Verdhë” të famshëm të Signal Iduna Park. Norvegjezi këtë sezon ka shënuar 29 gola në 30 ndeshje, ndërsa sezonin e kaluar ka arritur të shënojë 41 në po aq ndeshje. Nga 1 korriku ai do të jetë padyshim një lojtar i Manchester City, ndërkohë që ka dashur t’i dërgojë një mesazh tifozëve verdhezinj.

Haaland, në llogaritë e tij në rrjetet sociale, ka publikuar një video emocionuese lamtumire për tifozët e Borussia Dortmund. Klipi tregonte disa nga momentet e tij më të mira me fanellën e klubit të Bundesligës dhe një mesazh: “Nuk ishte asgjë tjetër veçse një nder të vishja këtë fanellë. Me BVB kalova momente të paharrueshme, takova njerëz të veçantë, për të mos përmendur një tifozeri që ka qenë gjithmonë lojtari ynë shtesë në fushë. Muri i Verdhë është vërtet i mahnitshëm. Nuk do të harroj kurrë asgjë nga këto! Ju faleminderit të gjithëve!”.

Kështu, aventura e re e Haaland do të fillojë pas disa javësh. Ditët e fundit, City konfirmoi me një shënim zyrtar se kanë arritur marrëveshjen me Borussia Dortmund për transferimin e 21-vjeçarit gjatë verës: “Manchester City mund të konfirmojë se kemi arritur një marrëveshje në parim me Borussia Dortmund për transferimin e sulmuesit Erling Haaland më 1 korrik 2022. Transferimi mbetet subjekt i kushteve të finalizimit të klubit me lojtarin”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *