• |
ide | kryesore

Tifozi futet në stadium me kafkën e gjyshit: “Do donte të ishte këtu, jam i sigurtë”

-Instant, Sport, Video



Nuk është e pazakontë që një tifoz të shkojë në stadium me gjyshin e tij. Dashuria për futbollin ose për një ekip shpesh përcillet brez pas brezi. Megjithatë, rrallëherë ndodh që një tifoz të mbërrijë në stadium me kafkën e gjyshit nën krah. E megjithatë ndodhi. Gjatë gjysmëfinales së Kupës së Ligës Profesioniste në Argjentinë, mes Racing de Avellaneda dhe Boca Juniors, një tifoz mbërriti në tribunë me një kafkë.

Skuadra e Sebastian Battaglia fitoi 6-5 me penallti dhe bëri të tijën finalen e Kupës së Ligës Profesionale. Dy goditje në total për Boca Juniors gjatë ndeshjes, një e ndërprerë nga mbrojtja dhe një tjetër larg shtyllave, zero goditjet në kuadrat. Skuadra e Buenos Aires arriti sidoqoftë objektivin dhe tashmë duhet të përballet me Tigres në finale. Boca fitoi pa goditur asnjëherë në portë, një fitore anormale që shkon në plan të dytë për shkak të një tifozi të Racing Avellaneda.

Bëhet fjalë për Gabriel Aranda, i cili u shfaq në stadium me një kafkë në dorë. Tifozi është filmuar nga kamerat e ESPN, por përse kishte një kafkë? Vetë Gabriel ia tregon këtë një gazetari, i cili, duke parë një imazh kaq befasues, vendosi t’i drejtohej dhe ta intervistonte: “Është gjyshi im, Valentín Aguilera, një fans i madh i Racing. Ndeshjet janë dashuria ime dhe të gjyshit tim po ashtu. Ai donte të ishte këtu, jam i sigurt. As vdekja nuk do ta ndajë atë nga klubi i tij”.

NUK ËSHTË HERA E PARË
Tifozi tregoi gjithashtu se kjo nuk ishte hera e parë që ai kishte marrë kafkën e gjyshit të tij në ndeshje. Gabriel e merr me vete në çdo ndeshje të klubit të Avellaneda që sheh në stadium. Në Argjentinë ndeshjet luhen me një intensitet të pashoq, por duket se edhe kontrollet e hyrjes nuk janë aq të rrepta.

Burri siguroi se nuk e kishte problem të hynte në stadium me kafkën e gjyshit të tij të ndjerë, pavarësisht 3000 policëve që formonin kordonin e sigurisë rreth strukturës. Megjithatë, mbështetësi i Racing nuk ka dashur të japë shumë informacione se si i kapërceu kontrollet: “E kapërceva, me besim dhe me dashurinë e Racing. Ai më shoqëron kudo”.

Imazhi i Gabrielit pranë kafkës së gjyshit ka bërë xhiron e botës, por kjo nuk është hera e parë që bëhet virale. Tifozi, edhe në vitin 2019, kur Racing de Avellaneda, në atë kohë e drejtuar nga trajneri aktual i Celtas, Eduardo Coudet, fitoi titullin argjentinas, mori kafkën nëpër rrugët e qytetit. Një reporter i TNT Sports u interesua për historinë e tij dhe e intervistoi. Me atë rast Aranda kishte thënë: “Do të ndihej krenare për këtë gjest”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *