• |
ide | kryesore

FSHF zëvendëson Rusinë me Estoninë: ja precedentët e Shqipërisë para sfidës së 13 qershorit në Tiranë

-Instant, F1, Sport



Para debutimit në Nation League një miqësore: një lëvizje e shpejtë për të plotësuar numrin e ndeshjeve të reduktuara nga përjashtimi i Rusisë nga FIFA e UEFA, pas pushtimit të Ukrainës. Kështu, tani është zyrtare se kombëtarja shqiptare, në atë datë, do të luajë një miqësore me Estoninë. Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur akordin me Federatën Estoneze që kjo ndeshje të luhet më 13 qershor 2022 në stadiumin “Air Albania” të Tiranës, duke nisur nga ora 18:00.

Në këtë datë ishte planifikuar më parë që Shqipëria të luante ndaj Rusisë në Ligën B të Nations League, por pas vendimit të UEFA për pezullimin e Rusisë, FSHF vendosi që të shfrytëzonte këtë datë zyrtare për të organizuar një miqësore. Po në qershor Shqipëria do të luajë më 6 qershor me Islandën në transfertë dhe më 10 qershor me Izraelin në shtëpi, që të dyja sfida të vlefshme për Nations League.

PRECEDENTËT
Kjo do të jetë hera e katërt që Shqipëria dhe Estonia do të përballen në një ndeshje futbolli. Në të kaluarën të dy përfaqësueset janë ndeshur tre herë me njëra-tjetrën, në të tre rastet për ndeshje miqësore. Sfida e parë Shqipëri-Estoni është luajtur më 15 nëntor 2003 në Tiranë dhe u fitua nga kuqezinjtë me rezultatin 2-0. Golat u shënuan nga Adrian Aliaj dhe Alban Bushi. Përballja e dytë është ajo e 28 prillit e luajtur në Talin të Estonisë dhe përfundoi në barazim 1-1. Goli për Shqipërinë u shënua nga Adrian Aliaj. Ndërsa sfida e tretë Estoni-Shqipëri është zhvilluar më 14 nëntor 2009 dhe ka përfunduar në barazim 0-0. Edhe kjo miqësore u luajt po në Talin.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *