• |
ide | kryesore

Dëshmia tjetër e Nuredin Dumanit: Si i shpëtoi Arben Çeta plumbave të mi në Elbasan

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Zbulohen detaje në lidhje me një vrasje të mbetur në tentativë që ka ndodhur më datën 14 nëntor të vitit 2013, në fshatin Labinot Fushë, Elbasan, ku është qëlluar me armë zjarri dhe është plagosur Arben Çeta.

Edhe për këtë tentativë vrasje, të dhënat i ka dhënë Nuredin Dumani, i kthyer në diamantin në duart e prokurorisë së posaçme, SPAK, në lidhje me shumë ngjarje kriminale të 11 viteve të fundit.

Në lidhje me këtë ngjarje kriminale, SPAK, në bazë të dëshmisë së Nuredin Dumanit, ka zbuluar porositësit dhe personat që kanë marrë pjesë në tentativën e vrasjes.

Kështu, në dosjen e SPAK thuhet se nga shpjegimet që ka dhënë Nuredin Dumani, “ka shpjeguar se ka qenë shtetasi Talo Çela që i ka kërkuar të vriste këtë shtetas, ka qenë Talo që i ka treguar se cili ishte personi që do të vritej, se si ka studiuar lëvizjet e këtij shtetasi për disa ditë”.

Mësohet se Talo Çela, “i ka dhënë Nuredin Dumanit si ndihmës shtetasin Tom Çela i njohur si Tom Qorri i cili do të ishte edhe ai në vrasje. Talo i ka thënë se këtë porosi e kishte marrë nga shtetasi Kamer Mehja, se për këtë vrasje do të merreshin 60 000 Euro, ndërsa vetë Nuredini do merrte 30 000 Euro. Në këtë ngjarje do të vinte dhe Talo si shofer”.

Nuredin Dumani shpjegon ndër të tjera se ka takuar Kamerin “i cili i ka dhënë një armë si dhe i ka treguar se ku ishte personi që do të vritej. Kanë shkuar tek lokali dhe Talo me makinë qëndron jashtë ndërsa Nuredini hipi në një pishë që ndodhej në anësoren e parkingut te lokalit”.

Rrëfimi i Nuredin Dumanit për natën që do vriste Arben Çetën, por që dështoi, duke e lënë të plagosur atë dhe të fejuarën e kushëririt të tij, me të cilët kishte dalë për të darkuar atë natë, një muaj pasi kishte dalë nga burgu.

“Pas rreth 1 orë e 20 min del personi nga lokali dhe ishte i shoqëruar me persona te tjerë. Zbres nga pisha dhe shkoj në drejtim të tij me armë në dorë.

Ai më pa por jo vetëm ai edhe personat që ishin së bashku me të. Pasi më pa tentoi të nxirrte një grua para tij dhe u largua duke u fshehur nëpër makina. Unë e ndiqja dhe e qëlloja. E kam plagosur në këmbë. Kur ai donte të hynte në lokal e ndoqa nga pas por mua më mbaruan fishekët dhe ia vura pistoletën tek koka por shoh qe pistoleta s’kishte me fishekë.

Ai më thotë çfarë ke me mua? Unë nuk i them asnjë fjalë. Në këtë ngjarje kam qenë i maskuar me kapuç në kokë ku dukeshin vetëm sytë dhe goja dhe me rroba peshkimi.

Largohem në drejtim të makinës ku më priste Talo dhe në atë moment Tom Çela qëllon mua pa dashje pasi ngatërroi objektiv dhe plumbi kap xhamin e makinës së atij që do të vrisnim.

Më pas jemi larguar të tre në drejtim të Cërrikut. Unë në kthesën e Cërrikut afër stacionit të trenit marr A Clasin tim dhe i ndjek nga pas, Talon dhe Tomin deri në Cërrik.

Aty e lëmë benzin e ngjarjes në një parking pallati dhe atë benz e ka hequr Talo të nesërmen. Tek ura e zezë kemi hedhur armën e ngjarjes dhe rrobat dhe jemi larguar.

Me makinën time kam çuar Talon dhe Tomin në lokalin e Talos që ndodhet përballë burgut në Metalurgjik. Për këtë ngjarje nuk morëm lekë pavarësisht se Talo më premtoi. Më vonë rashë në burg dhe skisha kontakte më me ta”.

Në dosjen e SPAK është administruar edhe dëshmia e të plagosurit, që ka rrëfyer si u përball me atentatorët pasi doli nga lokali.

“Pasi kanë darkuar ata kanë dalë nga lokali rreth orës 22:00. Ai është përshëndetur me Armandin dhe Erisën dhe është drejtuar për nga makina e tij, e cila ishte e parkuar në parkimin para hyrjes së lokalit, në krah të majtë. Ndërkohë, Armandi me Erisën kanë shkuar për nga makina e tyre, të cilën e kishin në anën tjetër të parkingut.

Në momentin që ai ka hapur derën e makinës për të hyrë, ka dëgjuar një zë që i tha Ndal.

Menjëherë ka kthyer kokën dhe ka vënë re, që është një distancë rreth 12 m ishte një person i maskuar me maskë të zezë, i veshur me një si palë kominoshe ngjyrë gri dhe në dorë mbante një armë pistoletë.

Pak më poshtë tij ishte një person tjetër me maskë dhe kishte veshur një xhup ngjyrë të zezë. Personi që ishte më afër dhe që kishte armën në dorë ka qëlluar me pistoletë dy-tre herë.

Ai është spostuar, duke u mbrojtur te makina dhe ka shkuar drejt hyrjes së lokalit, ndërsa personi me pistoletë e ka ndjekur nga mbrapa. Ai është futur brenda lokalit dhe ka shkuar deri tek banaku.

Personi me armë e ka ndjekur dhe është afruar deri tek dera, ku ka qëlluar edhe disa herë të tjera tek xhami i derës, duke e dëmtuar atë. Ai nuk e ka parë se nga ka shkuar personi, pasi u fsheha dhe u frikësova tek banaku.

Ai ka parë se ishte plagosur në këmbën në djathtë sipër gjurit dhe po i rridhte gjak”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *