• |
ide | kryesore

“Donim ta rrëzonim nga themelet”/ Si u vu tritoli në shtëpinë e Talo Çelës

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Të tjera ngjarje të rënda kriminale pasqyrohen në dosjen e SPAK, që çoi në arrestimin e 18 personave në operacionin “Fisheku i artë”. Në dosjen e SPAK trajtohet edhe shpërthimi me eksploziv në banesën e Talo Çelës në 5 nëntor 2020 në fshatin Katund i Ri.

SPAK thotë në dosje se lidhur me këtë çështje ka folur i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili qëndron sot pas hekurave nën akuzën për disa vrasje me pagesë dhe ngjarje të tjetra kriminale.

“…Një ngjarje tjetër për të cilën dua të jap shpjegime është rasti kur i kam vënë eksploziv shtëpisë së Talo Çelës. Këtë ngjarje e kam organizuar unë për llogari të Arjan Spahisë. Fillimisht kam siguruar një sasi lënde plasëse prej rreth 5 kg. Lëndën plasëse nuk jam i sigurtë se ku e kam gjetur, por di se e kam blerë.

Lëndën plasëse e kam marrë të përgatitur me sa mbaj mend tek kushëriri i Elio Bitrit për të cilin kam dhënë shpjegime më lart. Pasi sigurova lëndën plasëse kam biseduar me Henrik Hoxhajn (Riku) të cilit i kam ofruar 15.000 Euro që të bënte vendosjen e eksplozivit. Riku pranoi dhe di që e ka kryer vendosjen e eksplozivit së bashku me nipçen….

Faktikisht nga shpërthimi nuk u shemb e gjithë shtëpia. Riku me ka thënë se e kishte ngjitur eksplozivin në dy kollona të banesës së Talo Çelës. Në kohën që është vënë eksplozivi unë isha në Kosovë dhe me Rikun komunikoja në telefon me aplikacionin Sky.

Për këtë ngjarje unë i kam dhënë Rikut shumën prej 15.000 Euro. Pagesën ma ka dhënë Arjan Spahiu i cili më dha 20.000 Euro dhe gjithë shumën unë ja dhashë Rikut. Riku më ka thënë se paratë i ka marrë nga i njëjti person që i kishte marrë edhe në rastin e vrasjes së Emiljano Ramazanit. Unë u nxeha me Rikun duke i kërkuar llogari se përse nuk e kishte kryer punën tamam dhe ai e pranoi gabimin” – ka thënë Dumani.

Ndërkohë, në dosjen e SPAK jepet dëshmia edhe e bashkëpunëtorit të drejtësisë Henrik Hoxhaj

“Në Elbasan unë kam kryer edhe një vepër tjetër konkretisht në vitin 2020 koha e saktë nuk më kujtohet kam vendosur lëndë eksplozive në banesën e shtetasit Talo Çela. Nuredin Dumani më ka kërkuar që të vendosja lëndë eksplozive tek shtëpia e Talo Çelës e cila ndodhet në Bradashesh tek ura pa vajtur tek magazina e Dines.

Për këtë gjë Nuredini më ka ofruar shumën 15-20 mijë euro nuk e kujtoj shumën e saktë për momentin. Unë e kam marrë përsipër ta kryeja dhe kam porositur një sasi lënde eksplozive mund të ketë qenë rreth 500 gram e përgatitur me kapsolë detonatore me fitil që ndizej me zjarr.

Lëndën eksplozive ma ka përgatitur një person të cilin nuk e njoh me emër pasi nuk kam dashur të hyj në muhabet me të. Bombat e përgatitura kanë qenë dy pasi kemi dashur ta rrëzojmë shtëpinë nga themelet. Pasi kisha marrë bombat e përgatitura jam nisur nga Tirana me një automjet Hyundai të cilin e kisha marrë me qira dhe kam qenë në makine së bashku me shtetasin Skerdi Tasi.

Në orët e para të mëngjesit kam arritur tek shtëpia e Talos e cila ishte dy katëshe dhe ishte e braktisur. Unë kam qëndruar tek makina me pistoletë në dorë ndërsa Skerdi ka vendosur bombat njërën tek kollona e parë dhe tjetrën tek e dyta dhe u ka vënë flakën fitilit.

Pasi Skerdi ndezi fitilin menjëherë jemi larguar me automjet drejt Tiranës dhe para se të hynim në tunel tek rrotondo kam ndaluar mjetin pasi doja të dëgjoja shpërthimin. Pasi e kam dëgjuar shpërthimin jam nisur për Tiranë bashkë me Skerdin” – ka thënë Hoxhaj.

Prokuroria arsyeton se ngjarja u organizuar nga Nuredin Dumani, Henrik Hoxhaj, Skerdi Tasi si dhe kushëriri i shtetasit Elio Bitri i identifikuar si Florenc Çekrezi. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *