• |
ide | kryesore

Superiore/ Fitorja e parë e Vanolit në derbi, asnjë pretendent për Europën nuk gabon: Këpuca e Artë në ndeshjen e fundit

-Instant, F1, Sport



Gjithcka sipas parashikimeve, me përjashtim të golave të future në ujë të Seferit e Guindos. Të dy lojtarët që bashkëudhëheqin renditjen për Këpucën e Artë shënuan nga një gol, por humbën shumë raste, duke e lënë cështjen për tu zgjidhur në javën e fundit. Sa për të tjerat, skuadrat pa objektivat humbën, si Tirana derbin me Dinamon e rënë nga kategoria ndërsa lufta për Europën shtyhet në javën e fundit, sepse të gjithë pretendentët fituan.

Vanoli vonoi shumë, por mori fitoren e tij të parë në ndeshjen më prestigjoze të mundshme. 2-1 kundër Tiranës dhe Dinamo bën të vetin derbin e fundit të sezonit. Asnjë rëndësi rezultati, por kënaqësia e një skuadre të rënë nga kategoria që mposhti kampionët e rinj të vendit. Vendosi Haxhiu në minutën e 9 e Samake në të 49, por Reginaldo humbi edhe një penallti të pritur nga Lika. Në të 66 Seferi shënoi nga pika e bardhë, duke u ngjitur në kuotën 18 gola.

Fitojnë skuadrat që synojnë Europën, duke filluar nga Vllaznia, që mposhti 3-1 përballë Egnatias në shtëpi, në javën e parafundit të Superiores, për të qëndruar në garë për Europën. Shkodranët kaluan në avantazh që në minutën e 19’ me Aralicën dhe më pas dyfishuan shifrat me një autogol të Agbekpornut. Në pjesën e dytë Xhekson ngushtoi diferencën pas një goli të shënuar për rrogozhinasit, por ishte Da Silva i cili mendoi për t’i mbyllur llogaritë e ndeshjes. Pati minuta dhe për Ndriçim Shtubinën, i cili hyri në fushën e lojës në pjesën e dytë, me sulmuesin që do të japë dorëheqjen në fund të sezonit. Kështu Mirel Josa debuton në mënyrën më të mirë të mundshme me Vllazninë, duke e mbajtur ende në garë për Europën nëpërmjet kampionatit, ndërsa Egnatia pa objektiva i ka sytë nga sfida “playoff” e Kategorisë së Parë për të mësuar kundërshtarin e saj.

Goleadë e Partizanit që ruan vendin e tretë duke regjistruar një tjetër sukses teksa ka mposhtur Kastriotin me rezultatin 4-0 në një ndeshje ku të kuqtë kanë dominuar sfidën. Me këtë fitore skuadra e Dritan Mehmetit ka siguruar matematikisht Europën ku ka mbetur ende një ndeshje për të luajtur. Kastrioti nga ana tjetër pëson një disfatë në një ndeshje ku vinte pa shumë objektiva, me mbijetesën që ishte siguruar që më parë.

Kukësi e ndjek Vllazninë e Partizanin dhe mban në distancë Teutën, kur mposhti me rezultatin 1-0 Skënderbeun në sfidën e vlefshme për javën e 35-të të Superiores. Edhe pse përballë kishin skuadrën korçare, që prej javësh ka prerë biletën për në Kategorinë e Parë, skuadra verilindore, nuk arriti të shënonte më shumë se 1 gol. Ishte Fejizhao, ai që në minutën e 38-të, realizoi golin me vlerë 3 pikë. Pavarësisht se pa objektiv, Skënderbeu, luftoi deri në fund, për të surprizuar vendasit, teksa nuk mungoi as tensioni, ku protagonist u bë portieri Tafas, i cili u kap me futbollistët e skuadrës korçare.

Teuta ka arritur të gjej fitoren në minutat shtesë ndaj Laçit, në ndeshjen e përfunduar 2-1. Pjesa e parë e takimit u mbyll në baraspeshë 1-1 me dy skuadrat të cilat patën shanset e tyre për të shënuar. Atëherë kur gjithçka u mendua e mbyllur Daja solli festën te Teuta me golin e avantazhit në minutën e 94’ Me këtë rezultat Laçi mbetet në vendin e dytë, ndërsa Teuta renditet e 6-ta me 49 pikë ende matematikisht në garë për Europën.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *