• |
ide | kryesore

Kush e tradhtoi Dumanin? Polici – SPAK nën akuzë sapo nisën të flasin “të penduarit”

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Henrik



Pa zbardhur ende data 19 maj, forcat speciale hynë të ndara në grupe në shtëpitë dhe bizneset e 23 personave. Midis të cilëve vetëm për njërin ishin të bindur se nuk do ta gjenin në banesë. Por realisht, operacioni ku përmbaheshin emrat e shumë të kërkuarve të SPAK për një seri vrasjesh e grabitjesh në vend, nuk gjeti në banesë as Ervis Martinajn, as Kamer Mehjen dhe as Suel Celën.

Ata ishin larguar dhe njësoj si ata edhe avokati Alban Bengasi, dikur një oficer policie dhe së bashku me ta edhe 11 të tjerë.

Në përpjekjet për të zbuluar se kush e dekonspiroi dhe kush e tradhtoi SPAK-un, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur një hetim.

Megjithëse është fare e qartë që aksioni policor u tradhtua nga vetë policia dhe me shumë mundësi nga vetë SPAK.

Përmbi të gjitha, hetimi i bazuar në dëshminë e dy personave, del të jetë dekonspiruar shumë më herët, pikërisht pas ditëve kur Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj nisën të flasin.

Burimet thanë, se nga kërkimet e deritanishme, rezulton se Ervis Martinaj u largua nga Shqipëria në linjën Tiranë-Prishtinë-Vjenë-Varshavë menjëherë sapo u caktua ndaj tij masa e sigurisë ‘arrest me burg’ dhe vendimi iu dorëzua në zarf disa zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit.

Veç kësaj, burime pranë SPAK thonë, se tradhtia ndaj dëshmitarëve Dumani dhe Hoxhaj, nisi ditën kur u publikua lajmi se ata ishin penduar dhe po flisnin.

“Është e paprededentë kjo që ka ndodhur, pa u marrë aspak me etikën nëse duhet apo jo media të publikojë të dhëna të një sekreti të tillë, kur Dumani sapo nisi të flasë, për drejtësinë është një dështim, jo për shkak të paaftësisë, por të mesazhit që iu përçua kriminelëve se ata duhet të laroheshin sapo ishte hapur kutia”, – thotë një nga të huajt që merret me mbikëqyrjen e Prokurorisë së Posaçme, SPAK .

Por kush e tradhtoi hetimin që nuk çoi në pranga të dyshuarit kryesorë? Që policia ka fije dhe lidhje të dyshimta me kriminelët, kuptohet në mënyrë të përsëritur, jo vetëm nga garancitë që jep avokati Bengasi, kur thotë se shefin e njeh dhe do kontaktojë me të që të mos arrestohet kush.

Gazetasi.al u interesua për të kuptuar nëse pati apo jo të arrestuar pas rrahjes së ish-bashkëshortes së tij dhe a pati të dyshuar, ndonëse rruga në tregun elektrik ka kamera sigurie.

Rezultati është asnjë i dyshuar dhe asnjë i prangosur. Që njerëz të drejtësisë paguhen për vendimet që marrin po ashtu, kuptohet nga garancitë që i akuzuari Festim Qoli jep gjatë bisedës me Nuredin Dumanin, i cili kujton se, “avokati kishte lidhje me prokurorë e gjyqtarë, të cilët kishin mbyllur dosje“, një ndër to është edhe lirimi i Gjergj Cukalit, në fakt që i shpëtoi fajësisë, pasi u arrestua për vrasjen e një ish-polici në Tiranë.

Nuredin Dumani kujton: “Në fund të vitit 2012 ose fillim 2013 (nuk jam i sigurt), në lagjen 14 ku unë jetoja në qytetin e Durrësit, ishte një person, i cili kishte emër dhe reputacion, quhej Festim Qoli. Ai kishte reputacion, pasi ka shumë para dhe biznese. Festimi ka pasur një karburant në Shkozet afër Urës së Dajlanit që e ka shitur në vitin 2020. Ka gjithashtu një godinë 3-katëshe në zonën e njohur si ‘Nishtulla’, në të cilin ka aktivitet Bar Kafe ‘Spiranca’, ushqimore me shumicë edhe një restorant dasmash. Takoheshim gjithmonë tek lokali i tij që ishte në lagje. Shkurt e thërrisnim Festa. Si pikë takimi ishte Bar ‘Spiranca’. Aty u njoha me Festimin, kisha pasur një konflikt më parë me Festim Qolin dhe kushërinjtë e tij, pasi i kisha rrahur kushërinjtë. …….Më pas u bëmë shokë së bashku. Një ditë ishim duke bërë palestër, tek palestra e Festimit brenda kompleksit të tij, po diskutonim për ngjarjen që ishte vrarë Ervis Deda, që akuzohej Festim Qoli, i cili e kishte mbyllur çështjen duke më thënë se vetëm këtyre ‘qenve’ këtu në Durrës iu kam dhënë 200.000 euro.

Këtë e dija se ishte bërë publike. E kam dëgjuar edhe nga njerëz të tjerë që thoshin se e ka bërë ai Festo, por unë nuk kisha folur me Feston. Më pas kur krijova relata më të ngushta me Festimin, u njoha edhe me Henrik Hoxhën, aty e mora vesh tamam që në vrasjen e Ervis Dedës ka qenë Festimi vetë dhe Henriku. Këtë ma pohuan të dy. Festimi ka qenë shofer i automjetit që kanë përdorur për të ekzekutuar Ervisin, ndërsa ekzekutori ka qenë Henriku me armë automatike.

Festimi ishte 6 muaj në kërkim, më pas u kthye. E dinin të gjithë që ishte në kërkim, pasi edhe shteti vinte e kërkonte te shtëpia, madje kur erdhi policia që ta merrte në shtëpi kam qenë në lagje, pasi ai shtëpinë e ka te kafja e lagjes dhe mesa mbaj mend e morën me një makinë ML, jo me makinë policie. Një ditë kur unë, Festimi dhe Henriku po pinim të tre bashkë alkool dhe kokainë, gjatë diskutimeve, duke u mburrur për ngjarjet që ne kishim bërë, ata më treguan sesi e kishin realizuar vrasjen e Elvis Dedajt. Ditën e ngjarjes ata kanë qenë duke pirë një lokal anës rrugës së Kënetës, në të cilën ka kioska që pjekin mish. Kanë qenë në pritje të informacionit se ku ndodhej Elvisi. Vendin ku ndodhej Elvisi, Festo e ka mësuar nga….ka qenë duke ngrënë drekë së bashku me Elvisin në një restorant në rrugën dytësore pranë Shkëmbit të Kavajës… Festo më ka treguar se e ka pyetur vetë Elvisin me telefon se ku ndodhet? Kjo sipas Festos ka dalë edhe nga hetimet. Pasi Elvisi është ngritur nga tavolina, ka shkuar në makinë për t’u larguar, në atë moment Festimi me Henrikun kanë qenë duke e pritur. Sapo Elvisi është futur në makinë, ka shkuar Henriku dhe e ka qëlluar me armë. Pas ngjarjes janë larguar me makinën Mitsubishi L200, të cilën e kanë djegur në Kodër Arapaj. Nga djegia e makinës Festimi ka djegur vetullat dhe fytyrën”.

Por rasti më flagrant i kapjes së shtetit, policisë, prokurorisë dhe gjykatës, është mos hetimi siç duhet i vrasjes së Dedës, për të cilin e ëma trokiti në prokurori dhe polici dhe ata nga ana tjetër njoftuan kriminelët se “gruaja nuk po i linte rehat”.

Për këtë, nëna fatkeqe u masakrua në mënyrë që ngjarja të dukej si një grabitje.

Policia e Elbasanit, sikundër edhe polici të tjera, ajo e Durrësit, Tiranës, Vlorës, Shkodrës dhe Lezhës, janë përmendur shpesh për lidhjet e tyre me krimin.

Në rrëfimin e Dumanit, u arrestua edhe një oficer policie, Leonard Palushi, që ishte lidhur me një eksponent të krimit në këtë qytet dhe që devijoi hetimet qëllimisht duke futur në vendngjarje armën që u përdor për të vrarë Ramazanin. Në dosje thuhet: “Sa më sipër, parashtruar, rezulton se i hetuari Palushi në marrëveshje me të hetuarin Alibej, ka bërë të mundur që të orientojë hetimet në drejtim të gabuar, duke synuar implikimin e personave të cilët nuk kishin asnjë lidhje me veprën penale të kryer. Edhe deklarimet e dhëna nga ana e të hetuarit Leonard Palushi janë aspak bindëse dhe në kundërshtim me tërësinë e provave të administruara deri në këtë fazë të hetimit. Deklarimet e dhëna nga shtetasi Nuredin Dumani, si dhe ato të dhëna nga bashkëpunëtori tjetër i drejtësisë, Euglent Halili, krijojnë dyshimin se dhënia e informacionit është bërë qëllimisht, që për këtë ngjarje të futeshin në konflikt familja Manahasa me grupin e Talo Çelës. Në këtë mënyrë si rezultat i këtyre veprimeve të kryera nga ana e Leonard Palushit, ai ka kryer mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke qenë në kushtet e ushtrimit të një funksioni publik, duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetasve, konkretisht të shtetasve Albert dhe Seit Manahasa të cilët rezultojnë që janë arrestuar gabimisht”.

Por deri më tani, nuk ka asnjë hetim përtej tij, për shkak se së bashku me Palushin duhej hetuar çdo zyrtar policie që organizoi këtë aksion, bazuar në një informacion, që jo vetëm duhej konfirmuar, por nga ana tjetër duhet t’i bashkëngjiteshin dhe rrethana të tjera, që do të ishin bindëse për të arrestuar dy të dyshuar.

Oficeri i policisë Palushi thotë: “Në datën 20.07.2020, kur ka ndodhur vrasja e shtetasit Emiljano Ramazani, kam qenë me pushime vjetore. Edhe pse me pushime jam munduar të interesohem për zbulimin e vrasjes së Emiljano Ramazanit. Disa ditë pas ngjarjes, edhe pse isha me pushime, në Yzberisht, te dyqani “Ozone Elektronic”, rreth orës 10:00 ose 11:00 të paradites, më është afruar një shtetas me maskë Covidi dhe kapelë, rreth 170 cm dhe rreth të 50–ve. Më ka takuar dhe më ka informuar se, tek servisi i Manhasave, mbahet e fshehur një armë që është përdorur te vrasja e Milit. M’u drejtua duke më thënë mua, nuk më ke parë asnjëherë. Eca rreth 2-3 hapa në drejtim të këtij shtetasi, por ndërkohë në trotuar erdhi dhe një person tjetër. Ndalova, pasi nuk isha i sigurt se çfarë do ndodhte. Të dy bashkë u larguan në drejtim të rrugës kryesore te Unaza e Re. Më vonë komunikova me Drejtorin e Policisë, Arjan Muça, i kam thënë se, më ka ardhur një person dhe më ka takuar në Tiranë dhe më ka thënë se arma e ngjarjes së Emiljanos është te Manahasat. Dua të sqaroj se në bisedën e bërë me Drejtorin e Policisë, Arjan Muça, kemi pasur dyshime se ky informacion mund të jetë i sajuar, por përsëri duke gjykuar se aty mund të kishte armë, do ishte ndihmë për zbulimin e autorëve të ngjarjes, pra mund të kishte gjurmë ADN-je”.

Ai ka deklaruar se informacionin lidhur me armën e gjetur te servisi i Manahasave, nuk e ka përpiluar si SK2, pasi ishte me pushime dhe kur ka dalë në punë, ishte pa vlerë, pasi ishte ezauruar si informacion. Po kështu ka deklaruar se ka pasur njohje me Erjon Alibeajn, me të cilin është takuar për shkak të informacioneve që ai ka dhënë për vrasjen e vëllait të tij, Endrit Alibej, madje e ka takuar edhe në banesën e Erjon Alibeaj. Gjithashtu me kërkesë të tij, shtetasi Leonard Palushi, ka ndryshuar lejen vjetore, nga 01-15.08.2020 në datat 15-31.07.2020.

Burimet i thonë Gazetasi.al, se marrja në pyetje e Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt u krye në sekret të plotë, aq sa prokurorët shkonin pranë tyre të maskuar që të mos evidentoheshin dhe zbuloheshin në spitalin e burgut.

Për çdo veprim, ata sipas ligjit kanë vënë në dijeni eprorët e tyre, ashtu si edhe oficeri i Policisë së Shtetit. Nëse informacioni që Dumani po fliste, doli nga njëra prej këtyre dy palëve dhe qëllimisht, publiku duhet ta mësojë. Dhe pyetja tjetër është, kush janë emrat e tjerë që Dumani po i përmend? A shkohet deri tek politika? /gazetasi.al



5 Comments

  1. Ky vend eshte i marre fund , jo per faj te Shqiptareve por te kastes se saj drejtuese . Krimi ka kapur majat , ka kapur gjithçka . Per ta zhbere duhet zhbere i gjithe shteti .

    1. Fakti qe deshmitari Dumani u dekonspirua qe po tregonte tregon se SPAKU eshte organ i rrjetit mafioz
      Kur Busheta ne Itali tregoi org anizimin e mafies siciliane u arrestuan mbi 2.000 veta dhe vetem atehere u morre vesh qe ishte ai qe kishte treguar
      Me rastin Dumani prokuroret e ngarkuar per kete ne SPAK duhen pezulluar e kaluar ne hetim

  2. Pse do ndonje zgjuarsi te madhe te kuptosh se ketu policia dhe prokuroria jane bashkepunetoret me te medhenj te krimit? Te vetmet aksione te padekonspiruara jane ato te ardhura nga jashte. Shikoni parate qe kane gjykates, prokurore e shefa policie dhe kuptohet per ke punojne e nga kush paguhen

  3. I LAJMEROJN KETA SHEFAT NEPER RRETHE KU MARRIN LEK NGA KRIMINELET PRANDAJ JAN FRYR JAN BER SI DERRA DHE ME MAKINA TE MIRA , DHE MEDIAT I JAPIN I LAJMEROJN IKNI SE PO JU VIJN DHE IKIN PLEHRAT SE KETA DUAN ENVERIN QE SJU BENTE GJYQ SE ISHTE KOH E HUMBUR I CONTE NE TE SEMES NDYRSIRAT .

  4. I vetmi aksion qe nuk u dekonspirua dot ishte ai i Xibrakes pasi hetuesit gjermane nuk njoftuan njeri deri ne minuten e fundit. Pyesni Saje Qorrin se e di mire ai dhe ka nje dosje te Olsit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *