• |
ide | kryesore

Mourinho, nesër në Tiranë: “Kjo finale është Champions-i ynë”

-Instant, Sport



Finalja në Tiranë po afron dhe José Mourinho i kërkon Romës së tij përpjekjen e fundit për të ngritur trofeun e Conference League. “Finalet janë 50-50, por ne do të bëjmë çmos për ta bërë 51-49. Puna që të çon në finale gjatë disa muajve është baza për ato 90 ose 120 minuta. Është dita e lojtarëve. Ne jemi aty vetëm për të dhënë një ndihmë të vogël. Unë kam qenë me fat deri më tani duke fituar të gjitha finalet e mia evropiane: lojtarët e mi në momentin e së vërtetës kanë qenë gjithmonë prezent”, tha trajneri portugez për faqen e UEFA-s.

“Conference League është Championsi ynë. Ky është niveli në të cilin jemi, kompeticioni në të cilën po luajmë. E klubi nuk ka pasur një mundësi të tillë për një kohë të gjatë. Duhet ta trajtosh një finale si një ndeshje individuale që sjell presionin e saj, tensionin dhe ndjesinë e përgjegjësisë. Duhet të mendojmë vetëm për finalen dhe kundërshtarët me të cilët do të përballemi. Sa bukur do të ishte për qytetin, klubin dhe të gjithë ne, nëse do ta fitonim ndeshjen”, shtoi Special One.

Mourinho është trajneri i parë që arrin të katër finalet e UEFA-s për klube: “E nuk do ta harroj kurrë të parën, që ishte Kupa e Kupave 1996/97 si ndihmës trajner i të ndjerit dhe të madhit Bobby Robson me Barcelonën. Sa herë ulesha pranë tij në pankinë, ndihesha shumë krenar. Fitimi i trofeut të parë mund të ndodhë duke qenë në vendin e duhur në kohën e duhur. Të fitosh herën e dytë është më e vështirë se herën e parë dhe të fitosh herën e tretë është më e vështirë se herën e dytë. Një gjë është të arrish suksesin e të fitosh për një periudhë të caktuar kohore, një tjetër është të arritsh suksesin dhe të fitosh vazhdimisht gjatë gjithë karrierës”.

Sa i përket të ardhmes së tij dhe dëshirës për të vazhduar të drejtojë, tekniku luzitanian përfundoi: “Nuk mund ta besoj që jam 59 vjeç dhe kam një karrierë 21 apo 22 vitesh si trajner. Nuk mund të them se kur do të ndalem, sepse nuk mund ta imagjinoj. Pasioni nuk ndryshon”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *