• |
ide | kryesore

Kurti takon Abazoviç, nuk përmendet demarkacioni

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar për herë të parë me Dritan Abazoviq, pas zgjedhjes së tij kryeministër i Malit të Zi. Takimi mes dy kryeministrave është zhvilluar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Sipas njoftimit të qeverisë së Kosovës, Kurti e uroi Abazoviç për marrjen e detyrës.

“Duke biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, Kryeministri Kurti e falënderoi z. Abazoviq për bashkëpunimin e ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi në shumë fusha. Përderisa theksoi vullnetin për fuqizimin e marrëdhënieve shumë të mira me Kosovën, kryeministri Abazoviq tha se duhet promovuar politika që janë optimiste dhe respektuese, e që fokusohen në qytetarët”, – thuhet në njoftim.

Mes dy kryeministrave duket se nuk është hapur tema e demarkacionit, një çështje më herët Kurti kishte thënë se do ta diskutonte sapo në Podgoricë të kishte ndryshim të qeverisë.

“Shpresojmë që së shpejti Mali i Zi do të ketë Qeveri të re me të cilën do të mund të bisedojmë e ta trajtojmë këtë çështje. Për dallim nga qeveria paraprake e cila kishte për brenda elemente pro ruse, përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë.

Shpresojmë që do të ketë kushte të reja, me qeverinë e re për ta trajtuar edhe këtë çështje për të cilën natyrisht fajin e përgjegjësinë e ka ajo qeveria e atëhershme e cila padrejtësisht, gabimisht e shumë dëmshëm iu dha Malit të Zi 8200 hektar të territorit të Kosovës”, – tha Kurti në prill të këtij viti.

Vlen të theksohet se Abazoviç, pas zgjedhjes kryeministër, e ka konsideruar çështje të mbyllur çështjen e demarkacionit. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *