400 kandidatë kanë shprehur interes për të kandiduar në zgjedhjet e reja që do të zhvillohen në 61 degët e Partisë Socialiste për kryetar dege. Zgjedhje pa zgjedhje në fakt sepse kryetarët e rinj thjesht do të emërohen pasi s’ka më një proces sipas parimit një anëtar një votë.
“Në zbatim të vendimeve të Kongresit, Asamblesë Kombëtare dhe Kryesisë për fushatën e zgjedhjeve të brendshme për kryetarët e 61 degëve të partisë në bashki, deri ditën e djeshme janë administruar mbi 400 emra si kërkesa për vetkandidim dhe propozime nga Këshillat Socialiste në territor”.
Nisur nga interesi i lartë Partia Socialiste njofton se është shtyrë afati për aplikimin deri në datën 31 maj.
“Në kushtet kur afati i përcaktuar skadon sot, marrë në konsideratë interesi i lartë për pjesëmarrje në këtë proces, Sekretariati Ekzekutiv i Partisë Socialiste ka vendosur shtyrjen e afatit të aplikimeve dhe propozimeve deri në datën 31 Maj. Kjo periudhë shtesë do të shërbejë jo vetëm për administrimin e kandidaturave të reja por edhe plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm nga kandidaturat e deritanishme. Çdo kandidaturë duhet të ketë si dokumentacion shoqërues një CV, kërkesën për kandidim dhe formularin e vetdeklarimit për garantimin e integritetin ligjor. Platforma e kandidimit është një material i cili do të prezantohet para asamblesë së bashkisë përkatëse vetëm nga kandidatët të cilët kualifikohen për fazën finale të garës”.
Parashikohet se kandidatët duhet të kenë si rregull vendbanim dhe të bëjnë jetën e partisë për një periudhë jo më pak se një vit brenda territorit të bashkisë, të jenë anëtar të partisë si rregull për një periudhë jo më pak se tre vjet, të kenë arsimin e lartë si dhe të plotësojnë kushtet e integritetit moral e ligjor.