• |
ide | kryesore

Teknologjia, elementi më i rëndësishëm në fushën e shëndetësisë

-Instant, Lajme, Të fundit



Nuk është një fakt i panjohur, që teknologjia ka ndihmuar në kurimin e një numri të pafundëm pacientësh, dhe vazhdon të na përmirësojë jetesën. Për më tepër, zbulimet teknologjike në fushën e mjekësisë kanë patur një impakt të papërsëritshëm në të gjitha praktikat e shëndetit publik. Por cilat janë rastet konkrete që tregojnë se zbulimet teknologjike kanë përmirësuar gjendjen e pacientëve?

Rasti më konkret vjen vetëm dy vite më parë, kur në mars të 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli edhe emergjencën globale lidhur me pandeminë e Covid-19. Siç e dimë, kjo sëmundje e shkaktuar nga virusi i familjes SARS-CoV2, ishte shkak i shumë rasteve fatale në shtete të shumta. Pikërisht në këtë gjendje emergjence, ishte teknologjia dhe shkenca të cilat bashkuan forcat për të krijuar metoda trajtimi për pacientët të cilat reduktonin dëmet dhe siguronin një ulje të prevalencës së infektimeve. Duke nisur nga praktikat e distancimit social të cilat reduktonin riskun e përhapjes së infektimeve të reja e deri tek zbulimi i kurave dhe vaksinave për mbrojtjen nga sëmundja.

Sipas mjekut infeksionist shqiptar Arian Harxhi, kjo pandemi tregoi atë që edhe historia e mjekësisë ka vërtetuar ndër vite, “se kur teknologjia dhe shkenca bashkohen arrijnë gjithmonë të prodhojnë zgjidhje për të mirën e shëndetit publik”. Gjithashtu ai, solli në vëmendje faktin që zbulimi shkencor ka qenë prezent që në Greqinë e Lashtë, kur trajtimi i parë për infeksionet u krijua, duke reduktuar kështu dëmin që niveli i lartë i prezencës bakteriale shkaktonte tek qytetarët.

Një tjetër rast që ia vlen të përmendet, është përfshirja e teknologjisë së analizimit të të dhënave në fushën e mjekësisë. Erion Dasho, ekspert me një eksperiencë disa vjeçare në fushën e menaxhimit të të dhënave përmes inteligjencës artificiale në Gjermani, u shpreh gjatë Konferencës së Reduktimit të Dëmit se “me ndihmën e teknologjisë, të dhëna me përmasa të mëdha dhe shumë komplekse, të cilat nuk mund të përpunohen duke përdorur metodat e zakonshme, arrijnë të analizohen në një kohë shumë të shkurtër dhe të ndërtohet profili i riskut të pacientit të trajtuar”.

Ai shpjegoi se “mjekët duke patur një profil të tillë për pacientët e tyre, e kanë më të lehtë të identifikojnë të gjithë elementet që rrezikojnë përkeqësimin e situatës shëndetësore dhe të reduktojnë dëmin përmes shërbimit mjekësor”.

“Kjo metodë e menaxhimit të riskut përmes përdorimit të inteligjencës artificiale, është një praktikë e njohur në shumë shtete të Evropës, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe rezultatet në spitalet apo klinikat ku është aplikuar lidheshin me një reduktim të dukshëm të dëmit që i shkaktohet pacientit siç mund të jenë komplikimet e shmangshme, rishtrimi në spital apo edhe koha e zgjatur e rikuperimit”.

Dhe së fundmi, një tjetër fushë e mjekësisë që preket nga teknologjia dhe që ka treguar rezultate në shumë vende si Japonia, Britania e Madhe apo Zelanda e re dhe Australia, lidhet me trajtimin e duhanpirjes. Edhe pse mund të mos duket “një problem shumë interesant”, siç e quan edhe doktori Ilir Alimehmeti, “duhapirja shkakton 4500 vdekje vjetore në Shqipëri, ndaj dhe duhet t’i kushtohet vëmendja e duhur”. Teknologjia në këtë fushë ka krijuar mundësimin e alternativave të cilat mund të përdoren për të reduktuar dëmin e shkaktuar nga tymi i cigares.

Gjatë konferencës mbi këtë temë, foli dhe doktori i njohur dhe eksperti i duhanit, Roland Shuperka.

Kur në botë regjistrohen ende 1 miliardë duhanpirës, dhe metodat ndërgjegjësuese si mesazhet paralajmëruese në paketat e cigareve apo trajtimi klinik me nikotinë të kontrolluar nga mjekët, nuk ka dhënë rezultate afatgjata, “ka vend për një strategji të re e cila ul ndjeshëm prevalencën e përdorimit të duhanit”, u shpreh ai.

Për mjekun, produktet e reja të duhanit, si pajisjet me ngrohje apo cigaret elektronike, janë inovacione të cilat mund të vijnë në ndihmë në reduktimin e dëmit të tymit të cigares por edhe në ndihmë të sigurimit të shëndetit publik.

Pra edhe pse ndonjëherë teknologjia trajtohet si diçka jo praktike, rastet e lartpërmendura tregojnë krejtësisht sukesin që këto zbulime kanë.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *