• |
ide | kryesore

“Jam rikthyer për të qendruar”: Seferi gati për kombëtaren, në momentin më të mirë të karrierës

-Instant, Sport



Taulant Seferi futbollisti i Kombëtares shqiptare ka folur në konferencê për shtyp, në kuadër të sfidave zyrtare të Ligës së Kombeve, ndaj Islandës dhe Izraelit, e më pas miqësores ndaj Estonisë. Seferi rikthehet sërish në Kombëtare, teksa nuk e fsheh gëzimin që ka marrë një ftesë nga trajneri Reja. Sulmuesi kuqezi shprehet se është i fokusuar totalisht te Kombëtarja, ndërsa flet edhe për sfidën e parë ndaj Islandës dhe planet në të ardhmen.

Objektivat e skuadrës në këto sfida – Në ndeshjet e marsit, Kombëtarja ka bërë shumë ndeshje të mira dhe siç e dini ju, në Ligën e Kombeve jemi ngjitur në një Ligë më lart, nga B në C dhe objektivi ynë në këtë fazë është të dalim në vendin e parë dhe unë kam parë një grup shumë të mirë dhe jam besimplotë se do të bëjmë një hap të mirë.

Titulli kampion me Tiranën dhe sfidat e Ligës së Kombeve – Jam shumë i lumtur që u shpallëm kampion, festa mbaroi atë ditë pas ndeshjes. Jam i fokusuar te Kombëtarja dhe jam shumë i lumtur që trajneri më ka ftuar dhe jam duke u përgatitur për ndeshjet e radhës. Ne jemi profesionistë dhe nuk guxojmë që të na bjerë ritmi. Duhet të jemi maksimalisht të fokusuar dhe të përgatitur, kështu që do të përgatisim dhe do të jemi të freskët dhe 100% për ndeshjet e radhës.

Konkurrenca në skuadrës– E di që konkurrenca është e fortë, por në fund të fundit kam ardhur këtu për të bërë maksimumin dhe është trajneri që vendos se cili do të luajë. Unë kam dëshirë të luaj dhe do të bëj maksimumin që të fitoj besimin e tij dhe të marr minuta.

Islanda? – Është një kundërshtar që duhet vlerësuar, por ne do ikim aty për 3 pikët dhe për të marrë maksimumin. Duhet të jemi të përgatitur dhe të shkojmë për fitore.

Planet e mia për të ardhmen? – Është shumë herët. Në këto 15 ditë jam i fokusuar vetëm te Kombëtarja dhe nuk e kam mendjen te merkato. Pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë.

A është ky momenti më i mirë në karrierë? – Po, kam bërë një sezon shumë të mirë dhe ndihem shumë mirë. Kam bërë paraqitje të mira dhe kam bërë shumë gola dhe jam shpallur kampion. Edhe se jam në Kombëtare jam shumë i lumtur dhe besoj se kam për të dhënë edhe më shumë sepse për mua është vetëm fillimi. Më herët siç e dini kam pasur edhe dëmtime, dhe nuk kam qenë i qëndrueshëm, por tani e kam marrë veten dhe do të bëjmë edhe gjëra të mira.

A do të luaj në këto ndeshje? – Të gjithë këtu janë profesionistë. Vendimi i takon trajnerit dhe në stërvitje do të jap 100%. Do të mundohem siç thashë të fitoj besimin e trajnerit dhe pastaj është ai që vendos. Nëse ai më jep minuta do të jem shumë i lumtur dhe do të bëj maksimumin.

Me kë kombinohem më mirë në sulm? – Ata që ka marrë trajneri dihet se janë më të mirët. Kështu që nuk e kam problem, me cilindo lojtar që do të jem në fushë do të ndihem mirë, pasi janë të gjithë profesionistë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *