• |
ide | kryesore

Nishani, njeriu që iku ndershmërisht

2, Ide



Gjithmonë do të thuhen fjalë të mira për atë që ikën, por ikja e Bujar Nishanit, është e trishtë se ikën një shtetar, një politikan dhe një qytetar që emërues të përbashkët pati ndershmërinë, devocionin dhe principet për të cilat ai besonte.

Bujar Nishani është nga politikanët e rrallë që jo vetëm nuk është i përfshirë në afera korruptive, por as nuk është përfolur. Kjo nuk është pak në një vend ku topat e baltës nuk kanë kursyer askënd. Si drejtues i dikastereve të rëndësishme (Rendit dhe Drejtësisë) z. Nishani ishte nga ato shtetarë që ligjin e konsideronte të shenjtë dhe bashkëpunimin me krahun tjetër politik si normalitet që duhej vendosur në vend.

Si President, megjithëse erdhi nga karriera dhe votat e Partisë Demokratike ai qëndroi mbi politikën e ditës dhe në lartësinë e detyrës. I ndërgjegjshëm se në postin e lartë ishte me votat e shumicës, Bujar Nishani nuk cedoi pavarësisht se u ndodh nën presion si nga të vetët ashtu edhe nga shumica që erdhi në vend më 2013.

Cic -micet dhe grricjet e politikës së ditës i shihte nga një distancë e admirueshme dhe dinte të bënte dallimin mes interesave të ngushta të politikës së momentit dhe interesave afatgjatë të vendit.

Bujar Nishani, ende shumë i ri si ish President, vetëm 52 vjeç, u rikthye në politikën aktive të ditës. Ai kërkonte të kontribuonte aty ku mundej dhe Parlamenti ishte vendi që Bujar Nishani mund të jepte shumë.

Kjo nuk u bë e mundur, por nuk e demoralizoi. Përkundrazi. Ai nuk e ngriti kurrë zërin, por toni i tij në fund ishte i lartë.

Në disa raste kam patur fatin ta intervistoj si kryetar shteti- dhe më vonë si ish President. Një bashkëbisedues i këndshëm dhe nga politikanët e rrallë që nuk i shmangej pyetjes dhe ishte koherent me mendimet dhe vendimet që merrte.

Si bashkëbisedues Bujar Nishani ishte krejt tjetër nga shumica e politikanëve. Nga të rrallët që në tavolinë me të bëje bisedë tavoline, si për gjëra të rëndomta të ditës ashtu edhe për çështje serioze.
Bujar Nishani, ishte i vërtetë si qytetar, i vërtetë si politikan dhe një shtetar që sot e gjen vetëm nëpër manuale të politikës.

Bujar Nishani të impononte respekt edhe kur nuk ishe dakord me pikëpamjet e tij. Të impononte respekt si qytetar, si politikan, dhe pa dyshim edhe si President!

Lamtumirë Bujar Nishani!

Marre nga facebook i autorit Lutfi Dervishi



7 Comments

    1. Gazetari Lutfi Dervishi (e jo Bushati) ka bërë me këtë shkrim pos mortum për ish presidentin Nishani, një shkrim tepër realist.
      Pamvarësisht se mund të mos ishe dakord me ndonjë mendim të tij, shkruan gazetari, Nishani të impononte ta respektoje për qetësinë me të ciën mbronte argumentat e tij.
      Kjo është tërësisht e vërtetë e është një cilësi që ju mungon shumicës së politikanëve shqiptarë që kujtojnë se mund të bëjnë protagonizmin e liderit, vetëm duke akuzuar e sharë kundërshtarin politik.
      Gazetari sjell në këtë shkrim, edhe një nga deklaratat e tij të sinqerta :
      “Ndoshta nuk kam bërë ndonjë gjë të madhe, por jam munduar të bëj më të mirën sipas gjykimit tim”, ka thënë Nishani.

    1. Je nji gazetar jo i kesaj kohe fatkqesisht, por i nje kohe qe, ka kohe qe duhet te ishte! Te lumte Dervishi, per vleresimin qe i ben Nishanit, nderon edhe veten! Respekt!

    1. Nissan erdhi me mustaqe dhe iku pa mustaqe.
      Te vjen keq se ishte I ri .,por si president nuk te impononte respect.
      I vendosur nga Berisha ai ngeli besnik I Saliut.Medioker dhe pa vizion.
      Visa Zhiti ish I denuar nga komunizmi nuk u perkrah kurre nga Nishani.
      Ngushellime.

  1. Gjate diktatures, Nishani ishte petagog te shkolla bashkume.
    Tani, kush e mban mend ate kohe e di se kush emorohej petagog ne ate shkolle. Gojet e liga thone qe ishte me grupin e profesore studentave qe dojshin me rikthy bustin.

    Mbas ’90 Nishani u be antikomunist si Saliu dhe kaq mjafton per figuren politike te Nishanit.

    Persa i perket korrupsionit beri aq sa mundi. Nuk kishte poste te larta ne egzekutiv, po gjithsesi mencen kryesore ne qytet studenti e privatizoi dhe e beri Bingo, pa llogarit ca apartamente ketu aty….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *