• |
ide | kryesore

10 milionë euro për Startup-et/ Ministrja Edona Bilali shpjegon si të jeni përfitues

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Grantet për Startup-et. Kjo është një risi e qeverisë për mbështetjen e bizneseve unike, të një sfere tjetër që bota perëndimore i njeh prej vitesh pasi kanë mundësuar zhvillimin teknologjik të sotëm, por që në Shqipëri duket se sapo kanë filluar të lulëzojnë.

Është ministrja e Shtetit për Mbrojtjen Sipërmarrjen, Edona Bilali, që në një intervistë ekskluzive për Lapsi.al zbulon detaje mbi thirrjen që ka mobilizuar të rinjtë me inicativë në vend.

Ministrja zbulon detaje nga aplikimet, që nga interesi i madh i treguar për thirrjen për grante, që shkojnë nga 1.5 deri në 5 milionë lekë të reja, deri tek përkufizimi i Startup-it. Çfarë duhet të dinë personat që aplikojnë për një grant për Startup-in e tyre? Çfarë është një Startup? A ka ndjekur Shqipëria një model perëndimor të mbështetjes së Startup-eve?

Ministrja përgjigjet si më poshtë:

– Thirrja për Startup është një iniciativë e re e qeverisë dhe ministrisë suaj. A kanë treguar të rinjtë shqiptarë interes për këtë thirrje? 

Deri tani kemi më shumë se 350 aplikime, që është shumë tej pritshëmrive që ne kishim për të gjithë kohëzgjatjen e thirrjes, duke pasur parasysh që ka dhe një javë afat për të aplikuar. Kjo tregon edhe një etje të tregut, për të parë mundësi mbështetjeje finanicare nga vetë të rinjtë. 

– Cilat do të ishin dy ide apo Startup-e të lançuar që ju kanë bërë përshtypje? 

Në këtë fazë, meqenëse edhe thirrjet janë të hapura, nuk mundem të them asnjë ide, por do të diskutojmë sapo thirrja të mbyllet, me kënaqësi. 

– Si po punohet që iniciativa të jetë e shtrirë në të gjithë vendin? 

Që në momentin që ka kaluar ligji dhe më vonë aktet nënligjore, promovimi është bërë praktikisht nga Vermoshi në Konispol. Kemi bërë një seancë të dedikuar me 61 kryetarët e bashkive, sepse fillimisht ato vetë mund të jenë përfitues, si lehtësues për Startupet. Por, edhe i kemi kërkuar atyre mbështetje për ta promovuar në njësitë lokale.

Gjithashtu skema është promovuar edhe me arsimin parauniversitar, profesional, gjithashtu edhe me shkollat e mesme.

– Duke qenë se shumë shtete të tjera kanë modele të tilla grantesh për Startup-et, a i jeni referuar dikujt për këtë thirrje? Një shteti si model? 

Modeli është unik, i joni. Ne kur e kemi nisur, që nga ligji dhe më vonë aktet nënligjore, kemi parë modele të tjera sigurisht. Baza ka qenë modeli italian, dhe më vonë kemi studiuar dhe Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që sot janë dy kryeqendrat e botës përsa i përket ekosistemit të Startupeve. Kemi studiuar edhe rajonin, ku sot formulën më të mirë e ka Serbia. Por megjithëse ka formulën më të mirë, e ka kredi dhe jo të tipit grant. 

Fondet tona janë me fond të humbur, që do të thotë që në rastin kur sipërmarrësi nuk ka sukses, atëherë nuk i detyrohet shtetit asgjë. Kjo është edhe ajo që e bën sot një të ri që të jetë akoma më guximtar, që idenë e tij ta vërë në zbatim. 

Megjithatë duke qenë se janë fonde publike, është menduar që faza e parë, që është faza e idesë, të përjashtohet për dy arsye. E para sepse ka fonde të tjera nga donatorë, që mbështesin aktualisht Startup-et në këtë fazë. E dyta, për të qenë ne më të bindur për seriozitetin me të cilin sipërmarrësi është duke ndjekur idenë e vet. Pra, idetë kanë gjasa që të mos ndiqen me orë pune dhe me studime tregu apo me testime më pas. Por nëse sipërmarrësi e ka marrë një hap, dhe hapi është drejt krijimit të një prototipi, qoftë të shërbimit apo të produktit, atëherë patjetër që ky është momenti që ne duhet të ndërhyjmë për t’i mbështetur.  

– A do të ketë thirrje të tjera për të mbështetur biznesin e ri në vijim? 

Këtu gjej rastin për të bërë një sqarim. Jo çdo biznes i ri është Startup. Përkundrazi, një përqind e bizneseve të reja mund të jenë Startup-e. E them këtë, edhe sepse shoh që fluksi edhe pyetjet kryesisht, që kanë ardhur dy javët e para, lidhen me bizneset që po themelohen rishtazi nga të rinjtë, apo jo nga të rinjtë por të rinj në biznes. Por, faktikisht nuk janë Startupe. 

Përkufizimin e Startupit ne e kemi dhënë që në ligj. Ka dy elementë që e diferencon Startupin nga një biznes i themeluar rishtazi. E para është potenciali i lartë i përshkallëzimit. Pra prodhohet një prototip, pastaj mund të prodhohen një milion copë apo ky shërbim mund të shitet në të gjithë globin. E dyta është inovacioni, e thënë thjesht, nëse dikush po e bën aktualisht këtë produkt apo shërbim, nuk është Startup. 

A do të ketë thirrje të tjera? Patjetër që po. Sepse fondi i vënë në dispozicion për këtë mandat të tretë është 10 milionë euro. Ndërkohë, kjo është vetëm thirrja e parë. 2.5 milionë euro në katër vite. Kjo është vetëm thirrja e parë… 

©LAPSI.AL 



3 Comments

  1. Edhe injorance por edhe poshteri, tradheti apo ku di une

    Ne gjysem rresht dy karakteristika dalluese te mavise qe qeveris

    “ekosistemit të Startupeve” -😂😂😂ekosistem qr, zhargon ministri jo shaka

    “Kemi studiuar edhe rajonin, ku sot formulën më të mirë e ka Serbia.” – normal prandaj E Rama e do Vucicin si shembull

    1. Me falni, por ku ishte shpjegimi ketu se si te jesh perfitues? Zonja na tha vetem kush nuk do jete perfitues.

      Me siguri perfitues duhet te jene vetem inovatoret rilindas!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *