• |
ide | kryesore

Maignan, thumbon zikaltrit: “Titullin e fituam falë… Interit”

-Instant, Sport



Mike Maignan është një nga sekretet e Milanit kampion të Italisë: portieri francez kreu pritje të pabesueshme dhe tregoi aftësi në ndërtim pa harruar rolin në dhomat e zhveshjes që Pioli e ka njohur gjithmonë. “Me trajnerin mund të dialogosh, ai më jep këshilla nga pikëpamja taktike dhe ndonjëherë i ofroj ide dhe alternativa”, thotë numri një i kuqezinjve, i cili më pas tregon se cili ishte për të gurthemeli në vrapimin titull me kushërinjtë zikaltër: “Kur Interi u pengua me Bolonjën, ne kuptuam se për ta kishte mbaruar sepse ishim të fokusuar vetëm te vetja. E kjo vetëm falë tyre: pas 0-3 të pësuar në Kupën e Italisë, ne kishim thikën në dhëmbë, ajo humbje na motivoi shumë…”.

Maignan, duke folur për La Gazzetta dello Sport, përsëriti një koncept të shprehur që nga ardhja e tij në Itali: “Unë erdha te Milan me zgjedhje profesionale, për të punuar dhe luajtur futbollin tim. Nuk erdha për të zënë vendin e Donnarumma ose për ta bërë atë të harrohet. Nuk ndjeva asnjë lloj stresi për këtë. Sigurisht, e dija që fansat nuk do të më fishkëllenin, por e vërteta është se këtu u ndjeva si në shtëpinë time menjëherë”.

Mes së shkuarës dhe së ardhmes, 26-vjeçari tregon: “Për momentin, në Reggio Emilia, besoja se emocioni i përjetuar për fitoren e Ligue 1 me Lilla ishte më i forti. Por kur pashë se çfarë ndodhi në Piazza Duomo në ditën e festës së titullit e ndjeva se ishte vërtet një gjë e pabesueshme, e çmendur”. Për objektivët e sezonit të ardhshëm: “Tani dua të bëj më mirë akoma e më mirë edhe në Champions League, sepse nuk e kemi fituar për shumë vite. Është qëllimi im të kthej Milanin në krye edhe në Evropë, ku i takon të jetë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *