• |
ide | kryesore

Rrëfimi i Dukës për Corriere. Igli Tare në FSHF, Asllani te Inter, duke kaluar nga Totti: “Do të ishte çudi të shkonte te Juventus”

-Instant, Sport



Jehona e finales së UEFA Conference League në Tiranë vazhdon të ndihet në kryeqytete dhe në të gjithë ambjentet e futbollit. Ndoshta sepse ishte eventi më i madh ndërkombëtar i futbollit i organizuar ndonjëherë në Shqipëri, apo edhe sepse kryeqyteti shqiptar u bë destinacioni i emrave më të mëdhenj të futbollit botëror, por Roma-Feyenoord do të mbahet mend gjithnjë si një eksperiencë thelbësore për rritjen e vendit, por edhe të sportit shqiptar: “Nëse bëjmë bilanc, ka shkuar mirë nga të gjitha këndvështrimet, organizative dhe sportive. Mendoj se të gjithë ata që morën pjesë në këtë event kanë qenë të kënaqur, qëllimi ynë ishte që të gjithë të largoheshin të lumtur nga Shqipëria, tifozët, lojtarët, drejtuesit dhe mendoj se ia dolëm”. Kështu është prononcuar presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i intervistuar nga faqja e madhe e lajmeve sportive në Itali “Calciomercato.it”.

Sigurisht që edhe prezenca e Hoze Murinjos i dha një shtysë të këndshme kësaj ngjarjeje: “Duhet të jem i sinqertë, prania e Murinjos ishte një nga arsyet që na shtyu të organizonim këtë ndeshje. Ai është një emër i madh në futboll, një trajner i madh që ka fituar shumë trofe dhe tani ka fituar edhe në Tiranë duke e bërë gjithçka më të ndjeshme në të gjithë botën”, – tha presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit për Calciomercato.it. Nuk mund të mungonte edhe një batutë e Dukës për “Special One”: “Murinjo është gjithmonë Murinjo. Por gaboi që nuk e aktivizoi Kumbullën, po të kishte fituar kupën me të në fushën e lojës do të ishte edhe më bukur. Megjithatë, për futbollin shqiptar ishte një promovim i shkëlqyer, që në fakt shkon përtej sportit. Të gjithë ishin skeptikë për të ardhur këtu për këtë finale, tani askush nuk ka për çfarë të ankohet, sepse organizimi ishte shumë i mirë dhe ne jemi shumë të kënaqur për këtë”.

Shqipëria është duke u zhvilluar shumë, në Itali prej vitesh ka disa lojtarë të rëndësishëm që militojnë në ligën elitare. I fundit prej tyre është Kristjan Asllani, mesfushori i ri i lindur në vitin 2002 në pronësi të Empolit, i cili prej javësh përflitet për një kalim tek Interi si zëvendës i mundshëm i Brozoviçit: “Ai është një lojtar shumë i mirë, ka bërë paraqitje të shkëlqyera me Empolin në gjysmën e dytë të sezonit, duke fituar edhe ftesën e Kombëtares. Jam i sigurt se Asllani do të ketë një karrierë të shkëlqyer. Shpresojmë që ai të shkojë tek Interi, por për këta lojtarë të rinj është më mirë të qëndrojnë aty ku janë dhe të luajnë të gjitha ndeshjet e tyre për 90 minuta, sesa të shkojnë te një klub i madh dhe të mos luajnë. Pra, edhe Asllani duhet të vlerësojë me kujdes nëse mund të luajë si titullar me Interin ose jo. Të shkosh atje për të qëndruar rezervë nuk është mirë për askënd”, – theksoi Presidenti i FSHF-së.

Në Tiranë, Duka pati mundësinë të takonte për herë të parë Françesko Totin, në një drekë pak orë para ndeshjes: “Nuk folëm shumë, e lamë të qetë të priste ndeshjen, si mik, duke mos e shqetësuar me biseda pune apo projektesh për të ardhmen. Ishte personazh shumë simpatik, njësoj siç ka qenë edhe në fushë. Nuk di asgjë për rikthimin e tij te Roma, nuk i di planet e tij. E shoh gjithmonë si sinonim të Romës, nëse do të kthehej në Romë, megjithatë, do të ishte diçka normale. Do të ishte e çuditshme nëse ai do të shkonte te Juventusi”.

Shqipëria është e lidhur ngushtë me Italinë dhe kryeqytetin, duke qenë se drejtori sportiv i Lacios është Igli Tare: “Një rikthim në Federatën e futbollit? Pse jo, ai është një nga personazhet tanë më të rëndësishëm në botën e futbollit. Ka bërë një punë shumë të mirë te Lacio, mund të bëjë trajnerin apo drejtuesin këtu, ai është një djalë i aftë që ka edhe shumë përvojë”.

Tani cili do të jetë hapi i radhës për Shqipërinë? “Ne kemi treguar se dimë të organizojmë mirë ngjarje të rëndësishme si kjo, padyshim që mund të provojmë të mirëpresim kompeticione të tjera si kjo, ndoshta ndonjë Superkupë apo turne të tjera. Kemi shumë dëshirë për të bërë gjëra të mëdha”, – theksoi numri një i futbollit shqiptar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *