• |
ide | kryesore

Ukraina, përfaqësuesja e një vendi në luftë, luan në Skoci për Botërorin: në Glasgow shkruhet historia

-Instant, Sport



Në Glasgow në orën 20:45, do të zbresë në fushë historia. Një komb në luftë, i pushtuar dhe i plagosur do të luajë për kualifikimin në Kupën e Botës. Skoci-Ukrainë, nuk do të jetë një ndeshje si të tjerat, për shkak të ngarkesës emocionale që do të mbajë me vete, në të dyja krahët. “Kjo është ndeshja më e rëndësishme e futbollit në historinë e Ukrainës,” tha mesfushori i Dnipros, Oleksandr Pikhalyonok.

Edhe për skocezët, të thirrur për të mbrojtur ngjyrat dhe krenarinë e tyre sportive kombëtare, nuk do të jetë e lehtë të menaxhojnë situatën, domosdoshmërisht me një zemër disi të ndarë: “Ndjejmë simpati të madhe për popullin ukrainas, sigurisht. Nëse nuk do të isha skocez do ta bëja tifo edhe unë për ta. Ajo që po përjetojnë dhe ajo që ne po shohim është e tmerrshme, por për 90 apo 120 minuta duhet të ndajmë mendimet tona”, përshkruan ndjesitë statusi emocional para ndeshjes i mbrojtësit Andy Robertson, kapiteni dhe njeriu- simbol i Skocisë.

Për Ukrainën, kjo është ndeshja e parë që nga fillimi i pushtimit rus. Lojtarët janë përgatitur ndryshe, disa vazhduan sezonin me klubet e tyre europiane, të tjerët, ata që luanin në shtëpi, u ndalën. Tani kombëtarja verdheblu po stërvitet mijëra kilometra larg shtëpisë, në selinë e tyre në Brdo, pak kilometra në veri të Lubjanës, në Slloveni, ku lojtarët dhe stafi nisën të mbërrinin në fund të prillit. Është e vështirë të mendosh për futbollin kur zona të tëra në vendin tënd bombardohen natë e ditë. Trajneri Petrakov në fillim të pushtimit donte të futej në ushtri, pastaj vendosi të dëgjonte thirrjen e ushtarëve dhe atyre në front: “Skuadra duhet të kualifikohet në Kupën e Botës, ne duhet të tregojmë se jemi gjallë”. Edhe në rrjetet sociale, pavarësisht se situata vazhdon prej 100 ditësh, kombëtarja ndiqet shumë dhe mesazhet e mbështetjes janë të gjitha të ngjashme: “Duhet të shkojmë në Botëror, do të na bëjë të lumtur”.

Në grumbullimin slloven u mblodhën gradualisht lojtarët që mbaronin kampionatet: Oleksandr Zinchenko i Manchester City, Vitaly Mykolenko i Everton, Eduard Sobol i Club Brugge, sulmuesi i Benficas Roman Yaremchuk, Ruslan Malinovskyi i Atalantas dhe Andrij Lunin, i cili më 28 maj fitoi Ligën e Kampionëve me Real Madrid. Nëse fitojnë ndaj Skocisë, ekipi i zotit Petrakov do të përballet me Uellsin. Me një sukses në këtë ndeshje të fundit, Ukraina do të arrinte në kampionatin botëror në Katar. Në raste të fitores kundër Skocisë, skuadra e teknikut Petrakov do të përballet me Uellsin. Një kualifikim i bujshëm, të cilin vetë presidenti Volodomyr Zelensky e konsideron themelor në strategjinë për t’i rezistuar Rusisë. Një sipërmarrje që do t’u kthente një grimcë gëzimi atyre që janë privuar prej tij prej muajsh.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *