Gjyqi kundër Sepp Blatter dhe Michel Platini për “pagesën e paligjshme të dy milionë frangave zvicerane” nga zviceranët për francezin u hap të mërkurën në Gjykatën Penale Federale të Bellinzona. Megjithatë, procedurat u ndërprenë në momentin e dëshmisë së ish-presidentit të FIFA-s, i cili akuzoi dhimbje gjoksi dhe probleme me frymëmarrjen.
Pas shtatë vitesh të gjata akuzash, spekulimesh dhe thashethemesh, gjyqi kundër ish-presidentëve të FIFA-s dhe UEFA-s, Sepp Blatter dhe Michel Platini, u hap të mërkurën në mëngjes në një gjykatë zvicerane dhe u ndërpre para kohe. Të dy, të cilët mbërritën veçmas në sallë, u dukën shumë të sigurt duke u buzëqeshur kamerave dhe ndonjë batute të gazetarëve të shumtë të pranishëm. Por Blatter, në kohën e dëshmisë së tij, u tha gjyqtarëve se ai nuk ishte në gjendje t’i drejtohej trupit gjykues për shkak të dhimbjeve të forta në gjoks.
“Unë jam absolutisht i sigurt, dielli po shkëlqen dhe unë jam në humor të mirë”, u tha Blatter gazetarëve para seancës. “E di që nuk kam bërë asgjë kundër ligjit. Jeta ime ishte futbolli, kam qenë në shërbim të FIFA-s për 45 vjet”. Mirëpo, kur erdhi momenti që ai të jepte dëshminë e tij në gjykatë, ish-numri një i FIFA-s u detyrua të dorëzohej: “Kam dhimbje gjoksi dhe mezi marr frymë – tha ai – nuk kam e ndjej se mund t’i përgjigjem pyetjeve”. Prandaj, marrja në pyetje u shty për të enjten.
Gjyqi duhet të mbyllet gjithësesi pas disa seancave më 22 qershor, ndërsa dënimi pritet më 8 korrik. Të dy përballen me një dënim deri në 5 vjet burg.