• |
ide | kryesore

Zbardhet dosja e vrasjes mafioze të Edison Harizajt

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Edison Harizaj kishte kohë që nuk dilte nga fortesa e tij, e cila thuhej se ruhej nga njerëz të armatosur. Madje edhe kur e dilte prej andej, sigurohej të kishte rrugën e lirë nga armiqtë e shumtë që kishte krijuar në botën e jashtme. Ashtu si edhe ‘kumbari’ i tij Toto Riina, ai kishte zgjedhur si fortifikim pallatet që kishte në administrim për t’u strehuar.

Ndoshta për këtë fakt apo edhe për brutalitetin e tij, ai kishte fituar me kohën edhe nofkën ‘Padrino i Vlorës’, apo ‘Edisioni i 7
Pallateve’ për hermetizimin që i kishte krijuar vetes. Por që nuk do të ishin nofkat e vetme që ai mbante mbi shpinë.

Pasi ai njihej në rrethet kriminale dhe më gjerë edhe si ‘Faqedjeguri’. Një cen, që i kishte mbetur si nofkë që nga fëmijëria e hershme, ku kishte pësuar djegie në njërën faqe. Por me gjithë këto nofka që të ngjallin krupën dhe jetës prej të izoluari që bënte Edison Harizaj, nuk mundi t’i shpëtojë armiqve të tij. Që mezi ç’prisnin ta kishin në pritë. Ku edhe pse ruhej në mënyrën më skrupuloze të mundshme, e kishte kuptuar se fundi i tij ishte i shpejtë. Për këtë arsye ai kishte rritur diskrecionin dhe masat e sigurisë.

Duke krijuar një rreth hermetik miqsh. Ndërsa parandjenja se diçka e keqe mund t’i ndodhte duket se po e shoqëronte shpesh kohët e fundit. Ku këtë shqetësim paranormal ia kishte komunikuar edhe një mikut të tij: “Shiko mik. Po më ndjekin, kam një parandjenjë të keqe”.

I ndjekur nga paranoja se diçka mund ti ndodhte, së fundmi ai kishte ndërruar edhe fortesën e tij. Duke u zhvendosur nga bunkeri i tij i pallateve në Vlorë në një tjetër fortifikatë, anës detit në Durrës. Aty ku thuhet se ishte në mbrojtjen e një organizate kriminale.
Por kjo ndjenjë turbullie që e shqetësonte së fundmi, nuk e shpëtoi dot Edison Faqedjegurin nga armiqtë e tij. As nuk i dha mundësinë të krijonte një mbrojtje më të mirë për veten. Edison Harizaj u ekzekutua natën e 6 nëntorit 2018, në lagjen nr 13 në Durrës.

Ndërsa po udhëtonte si pasagjer në makinën e drejtuar nga miku i tij, Genci Caca, i cili fillimisht mbeti i plagosur rëndë, por që më pas edhe ky humbi jetën në Spitalin e Traumës. Pamëshira e armiqve të Harizaj ishte e madhe. Ata derdhën mbi makinën me të cilën ai dhe miku i tij udhëtonin, mbi 50 plumba. Ndërsa errësira mori me vete nga ajo natë edhe autorët dhe porositësit e krimit.

Dosja Hetimore

“Më datë 06.11.2018 ora 22.50 në lagjen nr.13 Plazh Durrës nga persona ende të paidentifikuar është qëlluar në drejtim të automjetit i tipit Audi A8 me ngjyrë të zezë me targa AA 867 TX, ku si pasojë ka gjetur vdekjen Edison Fatmir Harizaj, person me tendencë të theksuara kriminale. Si edhe është plagosur rëndë Genci Gjergji Caci. Në vendin e ngjarjes grupi hetimor në cilësinë e provës materiale sekuestroi 52 gëzhoja kalibër 7.62 mm model 56, automjeti me targa AA 867 TX.”.

Lidhur mbi këtë atentat, grupi hetimor mori në pyetje fillimisht anëtarë të familjeve të viktimave. I pari që u mor në pyetje ishte vëllai i Edison Harizaj, që mendohej të ishte edhe shënjestra e atentatit. Ai tha se ishte jashtë Shqipërisë kur mësoi për lajmin e vrasjes së vëllait. Dhe se ishte kthyer me urgjencë. Por nuk dha asnjë informacion të vlefshëm për aktivitetin e Edison Harizaj.

“Prej 20 vitesh jetoj në Britaninë e Madhe. Kisha 2 vite që se kisha takuar familjen, sepse nuk isha kthyer në Shqipëri. Me Edisonin kisha kontakte të vazhdueshme telefonike. Ne si familje nuk kemi konflikte apo hasmëri. Me Edisonin nuk kisha biseduar për problemet që mund të kishte. Kur mësova lajmin e vrasjes së tij u nisa me urgjencë për ceremoninë mortore”, tha Amarildo Harizaj, vëllai i Edison Harizajt.

Paralelisht me familjarët e Harizaj, grupi hetimor mori edhe dëshmitë e familjes Caci. Genci Cacit, mikut të vrarë të Edison Harizaj.

“Djali jonë nuk kishte asnjë konflikt. Atë ditë unë dhe bashkëshortja, jemi gjendur në Tiranë. Në drekë, bashkë me bashkëshorten shkuam në shtëpi. Genci sapo ishte ngritur nga gjumi. U nisëm për në Vlorë pasi do të bënim një vizitë te një kushëri i joni. Në mbrëmje na talefonuan dhe na thanë se Genci ishte plagosur. Lajmin e pamë edhe në televizion. U nisëm me urgjencë drejt Durrësit, më pas në spitalin e Traumës. Genci ndërroi jetë më vonë. Në lidhje me makinën që drejtonte në momentin kur u goditën, ne nuk kishim asnjë dijeni që ajo ishte ne emër të djalit”, pohoi Gjergji Caci, babai i Genci Cacit.

Grupi hetimor nuk kishte asnjë dyshim se objektivi i atentatit ishte Edison Harizaj. Makina e përdorur në atentat u gjet si zakonisht e djegur vetëm disa orë pas krimit. Por në të nuk u gjet asnjë provë që mund të ndihmonte hetimin. Automjeti rezultoi të ishte në pronësi të një shtetasi të huaj dhe nuk rezultonte e regjistruar në Shqipëri. Ndërsa vendi i zgjedhur nga autorët për të kryer krimin nuk ishte i survejuar nga kamerat. Çka tregon se jo më kot ishte përzgjedhur për t’i bërë pritë Edison Harizajt. Që lëvizte me një makinë gjysmë të blinduar. Sipas të dhënave hetimore, natën para krimit, Edison Harizaj po lëvizte nga Vlora në Tiranë.

Këtu ku thuhet se darkoi me disa miq të tij në një nga lokalet në periferi të kryeqytetit. Më pas anasjelltas, thuhet se ai la Tiranën për t’u kthyer sërish drejt Vlorës. Lëvizje e cila duket se ka qenë e monitoruar në përpikëri edhe nga vrasësit. Të cilët duhet të kenë qenë të shumtë. Një arsye përse ata zgjodhën Durrësin për të kryer ekzekutimin mendohet të ketë qenë edhe për shkak të masave të forta të sigurisë që Harizaj kishte në Vlorë. Çka do ta bënte edhe më të pamundur eliminimin e tij.

Po kush ishte Edison Harizaj dhe cilat ishin bëmat e tij? Cila ishte lidhja e tij me Emiljano Shullazin, një nga personazhet më famëkeq të malavitas shqiptare, që sot vuan regjimin e egër 41 bis, i dënuar për gjobëvënie në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe më herët për trafik droge.

Pse Edison Harizaj njihej ndryshe, krahas pseudonimeve të tjera, edhe me epitetin ‘I forti’? Cila ishin krimet që i atribuoheshin ndër vite? Pse ishte kthyer në tmerrin e rivalëve? Edison Harizaj ishte një nga personazhet më emblematikë të krimit në Vlorë. Një qytet që vitet e fundit ka qenë skenë e disa ngjarjeve tronditëse të përgjakshme, ku krahas hedhjes në erë të rivalëve, bandat lokale nuk janë kursyer në brutalitetin e tyre edhe në zhdukjen e trupave të kundërshtarëve.

Një nga këta personazhe që njihej për mizorinë e tij ishte edhe Edison Harizaj, i cili thuhet se kishte gisht në disa prej zhdukjeve më të bujshme në Vlorë. Midis tyre edhe të Alban Xhaferrajt dhe Elvis Troqes vetëm një muaj më pas. Ngjarje të ndodhura në harkun kohor të muajve qershor-korrik 2018. Duke iu kthyer CV-së së tij të hershme të pasur kriminale, sipas të dhënave të dosjes së tij hetimore, Edison Harizaj ishte dënuar edhe për ‘Vrasje me paramendim’ të kryer në bashkëpunim ndaj Erion Ahmetit. ‘Vrasje me paramendim’ të kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë, ndaj Ferdinand Dedës, si dhe ‘Plagosje e rëndë me dashje’ e kryer në bashkëpunim ndaj Neritan Ramës.

Por siç rëndom ka ndodhur me drejtësinë shqiptare, Edison Harizaj, mundi të dilte shpejt nga qelitë. Edhe pse akuzat ishin të rënda, ai mundi të lirohej nga burgu në vitin 2010. Duke iu rikthyer, tashmë edhe më i fuqishëm, aktivitetit të tij të mëparshëm, në botën e krimit. Është kjo koha kur emri i tij lakohet në disa prej krimeve më të rënda në Shqipëri. Ku një ndër to është edhe ekzekutimi me shpërthim të komanduar i makinës në të cilën udhëtonte gjyqtari Skerdilajd Konomi, i cili u hodh në erë më 9 shtator 2011, në mes të Vlorës, ndërsa po shkonte në zyrë me makinën e tij. Një demonstrim i pastër i terrorit nga krimi ndaj një shërbëtori të drejtësisë. Por që ky nuk do të ishte krimi i vetëm që do i atribuohej Harizaj. Por a ishin këto krime, kupa e mbushur e eleminimit të tij? Përse grupi hetimor ka dyshime se shkak për ekzekutimin e tij mund të jetë bërë afrimiteti me Emiljano Shullazin?

Sipas Policisë, pista më e fortë për vrasjen e Harizaj është miqësia e tij e konsoliduar me Emiljano Shullazin. Ku ky i fundit mban mbi shpinë Shullazi edhe një akuzë për vrasjen e Vajdin Lamajt. Vepër penale për të cilën akuzohen edhe Viktor Imeraj apo i njohur ndryshe si ‘Tori i Xhihanes’. Një i afërm ky i Edison Harizajt.

Por që për grupin hetues pista është një tjetër. Dhe që lidhet me dyshimin se Shullazi mendohet t’i ketë vënë gjobë, Xhevdet Troplinit. Një personazh, jo pak i njohur në Durrës, edhe ky problematik me drejtësinë. I arrestuar në vitin 2006 për trafik të lëndëve narkotike, i cili njihet ndryshe edhe me pseudonimin ‘Poja’ dhe që së fundmi ka qenë edhe subjekt i Operacionit Forca e Ligjit. Subjekt që i ka dërguar edhe formularin për deklarimin e të ardhurave pas dyshimeve se bizneset që ka në zotërim Troplini i ka ngritur falë aktivitetit të tij kriminal. Personazh që lidhet indirekt edhe në një ngjarje tjetër të rëndë. Atë të rrëmbimit në parkingun e lokalit të tij në Durrës, më 6 janar 2016, të Gazmend Çollakut, i cili po atë natë u gjet i vrarë në zonën e Krujës. Për këtë arsye policia ushtroi kontroll në banesën e Troplinit, ku nuk gjeti asgjë të kundraligjshme.

“Rreth orës 05.30 kam dalë nga shtëpia dhe kam shkuar në pularinë time. Kur kam arritur kam gjetur rojen e objektit dhe e kam përshëndetur. Më pas kam vazhduar me punët e mia të përditshme duke iu shërbyer pulave dhe kafshëve të tjera që kam aty. Rreth orës 14.00 jam nisur po me makinën time vetëm për të ardhur në banesë për të ngrënë drekë dhe të shplodhesha. Pasi kam shkuar në shtëpi kam gjetur pjesëtarët e familjes time dhe kam ngrënë drekë. Më vonë jam marrë me sistemimin e bahçes. Rreth orës 01.00 ka ardhur policia dhe më kanë kërkuar për të ardhur në Komisariatin e Policisë, por nuk më dhanë arsye.Unë nuk njoh asnjë nga këta emra dhe nuk kam dëgjuar se kush janë këta. Në ambientet e komisariatit kam mësuar se ishte vrarë Edison Harizaj dhe ishte plagosur Genci Caci, por nuk kam dijeni lidhur me ngjarjen. Kam në pronësi automjetin tip Jeep si dhe një automjet tip Mercedez Benz me ngjyrë të zezë, por që zakonisht nuk e përdor. Nuk kam konflikt me njeri. As familja apo të afërmit e mi nuk kanë probleme me njerëz të tjerë”, tha Xhevdet Troplini.

Një tjetër personazh që u mbajt në vëzhgim nga policia ishte edhe Elvis Doçi. Administrator i një kompanie ndërtimi në Rrashbull të Durrësit si edhe një kafeneje pranë portit të qytetit. Doçi mohoi në polici të kishte njohje me Edison Harizaj. Madje ai tha se nuk e kishte dëgjuar kurrë si emër.

“Jam çuar nga gjumi rreth orës 11:00. Më pas kam dalë në një lokal që është afër shtëpisë time ku kam pirë kafe dhe kam qëndruar aty deri rreth orës 14:30. Më pas kam shkuar në shtëpi ku kam ngrënë bukë dhe kam pushuar. Nga ora 15:30 kam shkuar për kalçeto po aty në lagje dhe më pas jam kthyer përsëri në shtëpi. Rreth orës 18:30-19:00 kam dalë prapë tek kafja afër shtëpisë dhe kam qëndruar derisa mbaruan ndeshjet. Rreth orës 01.00 në shtëpinë time ka ardhur policia dhe më kanë kërkuar për të ardhur në Komisariatin e Policisë, por nuk më dhanë arsye. Unë nuk njoh asnjë nga këta emra. Në ambjentet e komisariatit kam mësuar nga punonjës të policisë se ishte vrarë shtetasi Edison Harizaj dhe ishte plagosur Genci Caci, por nuk di as ku ka ndodhur ngjarja, as arsyet përse ka ndodhur. Kam automjetin tip Audi A8 me ngjyrë të zezë me targa AA 659_ gërmat e fundit nuk më kujtohet. Automjete të tjera nuk kam në pronësi. Personalisht dhe pjestarët e familjes time nuk kemi asnjë konflikt me askënd. Po kështu dhe të afërm të familjes apo fisit tim nuk di që të kenë ndonjë konflikt me ndonjë shtetas. Nëse do të kishin do e kisha mësuar.”, tha Elvis Doçi.

Për një kohë të gjatë grupi hetimor mbajti në përgjim dy personazhet e mësipërm. Si edhe një të tretë të quajtur Ervis Matodoshi. Përgjime të cilat në fakt nuk dhanë asnjë rezultat. Sepse Poja sikurse rezulton në dosje fliste vetëm për Pularinë dhe ishte shumë i kujdesshshëm në cdo fjalë që nxirrte nga goja. Madje, skuadrat që e mbajtën nën vëzhgim thanë se bënte edhe lëvizje tejet të kontrolluara.

Por kush e vrau Padrinon e Vlorës, krahun e djathtë të Shullazit? A ishte kjo një goditje për t’i prerë Shullazit, krahun e mbetur jashtë qelisë?!! Edhe pse po mbushen afro 4 vite nga eliminimi i tij, ende edhe sot drejtësia nuk ka një emër, kush e eleminoi Edison Harizajn dhe mikun e tij.

Ndërkohë që shumë detaje kanë mbetur të pazbardhura nga ky krim. Midis tyre edhe një telefonatë misterioze 25 sekondëshe që ky i fundit mori vetëm pak minuta para se të ekzekutohej. Kush fshihet pas kësaj telefonate? A janë ata autorët e krimit. A janë ata njerëz të afërt të cilët e dorëzuan Edison Harizajn te armiqtë e tij. Drejtësia ka tashmë në duar një tjetër dosje të rëndë e cila nëse do të zbardhet e plotë, mund të shkundë nga pluhuri edhe shumë dosje të tjera që flejnë nën hijen e emrit të Edison Harizaj. Por edhe të shumë personazheve të tjerë që rrotulloheshin rreth tij në sferën e krimeve ende të pazbardhura. /Marrë nga Balkan Web



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *