• |
ide | kryesore

“E mendova pozicion jashtë loje”: Hysaj pranon gabimet e skuadrës, Broja, Bajrami e Asllani ia lënë teknikut

-Instant, Sport



Elseid Hysaj ka ende në mendje golin që VAR i anulloi, por edhe gabimet që skuadra bëri duke lejuar përmbysjen 1-2 të Izraelit: “Unë mendova se ishte pozicion jashtë loje. Nuk arritën të rikuperonim topin dhe pësuam golin, ishte aksion shumë i shpejt. Duhet ta marrim si një mësim. Duhet të besojmë në vete, sepse është një grup që deri në fund duhet të besojmë. Nuk po luanim keq, tifozët na dhanë një dorë. Po mundohemi, por gjithmonë gabojmë dhe pësojmë gola.

Mbrojtësi vazhdoi më pas, duke bërë një krahasim me ndeshjen e parë: “Edhe në Islandë e pësuam njësoj, duhet të jemi më të përqendruar, nuk e kuptoj edhe unë pse gabojmë. E dinim që Izraeli është skuadër që luan me kundërsulm, por na gjetën në një moment të hapur dhe lamë shumë hapësira”, u shpreh Hysaj.

BROJA: LOJTARI BËHET I MADH KUR BËN GABIME DHE VAZHDON

Autori i golit të vetëm të Shqipërisë Armando Broja, nuk e ka fshehur zhgënjimin për rezultatin 1-2 përballë Izraelit. Sulmuesi që vinte pas kalimit të Covid, shënoi me penallti avantazhin provizor, përpara se izraelitët të përmbysnin gjithcka në pjesën e dytë: “Nuk i përballova mirë minutat, sepse nuk fituam ndeshjen. Nuk ka rëndësi vetëm goli për sulmuesin, humbja është më e madhe për mendimin tim. Duhet të fokusohemi si grup. Duhet të jemi të përqendruar dhe të fitojmë ndeshjen – tha shkodrani, duke tentuar të karikojë skuadrën -. Lojtari bëhet i madh kur bën gabime dhe vazhdon. Në pjesën e parë kemi luajtur shumë mirë, ishim më aktiv, në pjesën e dytë ishim më mbrapa dhe pësuam 2 gola dhe e humbëm ndeshjen. Ky ishte rezultati në fushë”, u shpreh Broja.

BAJRAMI: NUK E DI PSE, TRAJNERI E BËRI ATË ZËVENDËSIM

I rikthyer pas dëmtimit, Nedim Bajrami nuk ka mundur dot të japë shkëndijën e duhur mekanizmit kuqezi, edhe pse mesfushori e ka të qartë se skuadra ka gabuar shumë në rastet e golave: “Pas kësaj ndeshje që kemi humbur, nuk e di. Por besoj që nuk kemi luajtur shumë keq, kemi pësuar gola që nuk duhet t’i pësojmë dhe ky është problem. Unë pjesën time e kam bërë – vijoi mesfushori i Empolit, duke komentuar edhe momentin e zëvendësimit -. Zëvendësimi? Nuk e di pse, trajneri e bëri atë zëvendësim dhe ashtu e pa ai. Isha fizikisht mirë dhe isha gati për të vazhduar ndeshjen”, tha Bajrami.

ASLLANI: NUK KAM BËRË NJË NDESHJE TË MIRË

Debutues nga minuta e parë, për Kristjan Asllanin, gjërat nuk kanë shkuar mirë dhe mesfushori që kërkohet nga Inter e pranon: “Nuk kam bërë një ndeshje të mirë. Nuk kisha shumë hapësirë, sepse kam pasur një dhimbje në shpinë. Trajneri zgjodhi kështu, por s’ka gjë – tha Asllani -. Duhet të punojmë nga ana mentale. Do të shikojmë gabimet me trajnerit dhe do të përmirësohemi në ndeshjet e tjera”.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *