• |
ide | kryesore

“Isha pak me emocione në fillim”: debutim pozitiv për mbrojtësin e Benfikës Bajrami

-Instant, Sport



“Jam shumë i lumtur me debutimin. Luajta mirë, isha pak me emocione në fillim, pastaj hyra mirë në lojë, në pjesën e dytë luajta shumë mirë”. Adrian Bajrami bëri debutimin me Kombëtaren në miqësoren ndaj Estonisë që përfundoi në barazim 0-0. Një lojë pozitive e qendërmbrojtësit, që pavarësisht emocioneve të fillimit, tregoi në fushë një pjesë të karakteristikave të tij: “Unë kam personalitet, ashtu jam dhe ashtu luaj. Shpresoj që do të jem pjesë e Kombëtares në ndeshjet e ardhshme – saktësoi Bajrami, duke bërë edhe një analizë të ndeshjes -. E dinim që Estonia do të rrite shumë mbrapa dhe kishim detyrë të qarkullonim topin. Në pjesën e parë kishim më shumë vështirësi, në pjesën e dytë bëmë më mirë dhe kishim më shumë shanse”, u shpreh Bajrami.

VRIONI: “DUHET TË JEMI MË AGRESIVË KUR SULMOJMË PORTËN”

Për sulmuesin e shpallur golashënuesi më i mirë në Austri me Tirol, Xhakomo Vrioni, 90 minuta shterpë, pa raste të rrezikshme dhe në mungesë komunikimi me Seferin në pjesën e parë e pastaj edhe me Brojën në të dytën, ashtu si ky problem ishte shfaqur edhe në dy ndeshjet e Nations League: “Kërkuam të fitonim këtë ndeshje, patëm raste. Në pjesën e parë edhe unë me kokë. Duhet të pushojmë të mbledhim forcat dhe të bëhemi gati për ndeshjet e shtatorit. Unë besoj shumë të ky grup. Do të kërkojmë maksimumin e pikëve në ndeshjet e Ligës së Kombeve – tha sulmuesi në pronësi të Juventus -. Mesfushorët na kërkojnë, duhet të jemi më agresivë kur sulmojnë portën. Duhet të japim maksimumin dhe të bëjmë gola, kjo është ajo që trajneri na kërkon”, e mbylli Vrioni.

ÇEKIÇI: NDODHI E NJËJTA GJË SI NË DY NDESHJET E KALUARA

Një nga më të mirët në fushë për Shqipërinë, mesfushori i Kombëtares, Endri Çekiçi, nuk është i kënaqur nga barazimi që kuqezinjtë morën me Estoninë, duke theksuar se në shtator Kombëtarja do të bëjë më mirë. “E kemi parë që dhe në dy ndeshjet e fundit ka ndodhur e njëjta gjë. Shkojmë te zona, rrotullohemi aty por nuk mund të finalizojmë. Një arsye më të pastër nuk mund të jap. Shpresoj që pas rikthimit me skuadrat në kampionate mund ta heqim këtë ngërç psikologjik dhe mund të bëjmë më mirë në shtator me Kombëtaren”. Pogradecari ka mbrojtur gjithësesi zgjedhjet e Rejas dhe insistimin e italianit për të luajtur me 3-5-2, duke cilësuar sjelljen e ekzagjeruar difensive të Estonisë: “Këtë ndeshje kemi parë që Estonia ishte në një bllok mbrapa. Ata qëndronin 8-9 lojtarë mbrapa. Nuk e besoj se ka të bëjë me skemën – vazhdoi Cekici -. Unë e ndjej më mirë veten në numër 10. Këtu luajmë me 3 mesfushorë, edhe kjo është gjë e mirë. Mendoj se po të luaja si ‘ëinger’ do të ishte akoma dhe më mirë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *