• |
ide | kryesore

Lufta për Sievierodonetskun/ Rusët tashmë kontrollojnë 70% të territorit

-Instant, Arkiva, Planet



Një zyrtar ukrainas tha se trupat ruse kanë hyrë në qendër të qytetit lindor të Sievierodonetskut dhe po vazhdojnë të bombardojnë një fabrikë kimike, ku janë strehuar qindra ushtarë dhe civilë.

Guvernatori rajonal Serhiy Haidai tha të hënën në rrjetin Telegram se trupat ruse kontrollojnë rreth 70 për qind të qytetit dhe i kanë larguar forcat ukrainase nga qendra e tij.

Ai tha se fabrika Azot në këtë qytet, ku janë strehuar qindra civilë, po “bombardohet rëndë”. Rreth 500 civilë mbeten në fabrikë dhe ushtria e Ukrainës po përpiqet t’i largojë ata në një vend të sigurt.

Rusia thotë se të gjitha urat e qytetit janë shkatërruar. Zyrtarët ukrainas thonë se ka ende një rrugë tjetër për të dalë nga qyteti, por është e dëmtuar rëndë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se beteja për rajonin e Donbasit “me siguri do të mbetet në historinë ushtarake si një nga betejat më të dhunshme në Evropë”.

“Për ne, çmimi i kësaj beteje është shumë i lartë. Është thjesht e frikshme”, tha presidenti Zelenskyy të hënën vonë.

Ai përsëriti thirrjet për vendet partnere që t’i dërgojnë Ukrainës artileri moderne për t’u përdorur kundër forcave ruse.

Këshilltari i presidentit Zelenskyy, Mykhailo Podolyak, shkroi në Twitter të hënën se për t’i dhënë fund luftës Ukraia ka nevojë pëer armë të rënda”. Ai renditi disa kategori armësh, duke përfshirë 1,000 topa obus, 300 sisteme raketash, 500 tanke, 2,000 automjete të blinduara dhe 1,000 dronë.

“Takimi i Grupit të Kontaktit të Ministrave të Mbrojtjes mbahet në Bruksel më 15 qershor”, tha këshilltari Podolyak. “Ne presim një vendim”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, do të drejtojë takimin në selinë e NATO-s. Një takim virtual i grupit muajin e kaluar, mblodhi përfaqësues nga 47 vende.

Sekretari Austin tha pas bisedimeve të muajit maj se grupi po “intensifikonte përpjekjet” dhe po punonte për të thelluar bashkërendimin me Ukrainën “në mënyrë që Ukraina të mund të forcojë operacionet e saj në fushën e betejës”.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha të hënën se ditët e fundit beteja rreth Sievierodonetsk “ka vazhduar të bëhet e furishme”.

Rusia pretendon se tashmë kontrollon 97 për qind të të provincës Luhansk ku ndodhet Sievierodonetsku. Por pushtimi i qytetit industrial të Sievierodonetskut, me një popullsi prej 100,000 banorësh sa kishte para luftës, mbetet vendimtar për qëllimin më të gjerë të Moskës për të kontrolluar rajonin lindor të Donbasit, i cili përfshin provincat Luhansk dhe Donetsk.

Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë në vitin 2014 dhe forcat e Kievit që atëherë kanë luftuar me separatistët pro-rusë në rajonin e Donbasit.

*Disa pjesë të këtij artikulli janë marrë nga agjencitë e lajmeve Reuters, Associated Press dhe France-Presse./ VOA/



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *