• |
ide | kryesore

“Shihemi në darkë”/ Zbardhet e dëshmia e të dashurës së Aleksandër Sadikajt

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Aleksandër Sadikaj u ekzekutua në mënyrë makabër mesditën e 11 qershorit 2022 pranë rrethrrotullimit të TEG-ut në Tiranë, vetëm pak minuta pasi kishte lënë banesën e tij në lagjen ‘Sauk i Vjetër’, ku ai qëndronte me qira prej 3 vitesh.

Por çfarë tha në dëshminë e saj e dashura e Aleksandër Sadikaj, e cila bashkëjetonte prej 3 vitesh me të riun nga Memaliaj, një personazh ky me rekorde të shumta penale, që kishte në pronësi një agroturizëm në vendlindjen e tij, si edhe një lokal në zonën e Selitës në Tiranë.

“Zakonisht Aleksandri rrinte në Tiranë ku ka një bar-kafe në zonën e Komunës së Parisit, por shkonte edhe në Memaliaj ku ka një fermë kuajsh dhe disa shtëpi druri të cilat i përdor për turistë. Ai shkonte çdo javë ne Memaliaj pasi interesohej për fermën. Në dijeninë time as Aleksandri, as familjarët e tij nuk kanë pasur konflikte apo probleme me ndokënd” – tha ajo.

“Aleksandri përpara ka jetuar në shtetin grek dhe para 6 viteve ka ardhur në Shqipëri. Nuk kam vënë re asgjë të dyshimtë ose shqetësim tek Aleksi. Përkundrazi ai ka qenë shumë i lumtur kohët e fundit pasi edhe bizneset po i ecnin mirë. Çdo ditë Aleksandri kur zgjohej shkonte tek lokali dhe shkëputej që atje vetëm për të ngrënë bukë, ku frekuentonte restorantet afër lokalit” – tregoi ajo.

Bashkëjetuesja e viktimës rrëfeu për hetuesit edhe lëvizjet e tij të fundit, midis Memaliaj dhe Tiranës, 3 ditë përpara se të ndodhte atentati. Madje ajo tregon se si konstatoi diçka të pazakontë ne serbatorin e makinës, por që Aleksandri, sipas saj, nuk i kushtoi rëndësi.

“Në datë 08.06.2022. Aleksandri ka qenë në Memaliaj ku ka qëndruar deri më datë 9 qershor ku ka ardhur në Tiranë rreth drekës. Rreth orës 20.00 kemi parkuar makinën te parkingu i qendrës ‘Kristal’ në zonën e Komunës së Parisit dhe kemi shkuar për të ngrënë darkë tek një restorant.

Kur jemi kthyer rreth orës 23.30 kam vënë re se ishte hapur kapaku i llamarinës së sebratorit dhe i kam thënë Aleksit. Ai nuk e vrau mendjen fare. Më pas mbylla kapakun dhe kemi shkuar në shtëpi.

Të nesërmen kam dalë rreth orës 10:00 për punë ndërsa Aleksandri ka qenë në gjumë. Rreth orës 20.20 kam shkuar tek lokali ku kam qëndruar rreth dy orë dhe më pas jam larguar për në banesë. Aleksandri ka qëndruar dhe pak” – ka thënë ajo.

Ditën e ngjarjes, e dashura rrëfen se ata u ndanë si zakonisht, pa e kuptuar se ky do të ishte takimi i tyre i fundit në këtë jetë.

“Ditën e ngjarjes kam dalë rreth orës 08:30 për në punë. Rreth orës 11:00 kam folur me Aleksandrin dhe e kemi lënë të takoheshim në drekë. Aleksandri nuk ndihej as i frikësuar dhe nuk e shqetësonte gjë.

Rreth orës 14:15 më ka telefonuar shoku i Aleksit dhe më ka pyetur se ku ishte ai sepse kishte parë një lajm. Më pas kam marrë menaxherin e lokalit dhe pas këmbënguljes time më ka thënë se është djegur një makinë tek TEG-u, por nuk e dinte nëse ishte ai. Jam nisur për atje por kishte shumë trafik. Më pas kam folur me kunatin e Aleksit dhe më ka thënë që ishte në spital dhe kam shkuar drejt tij” – rrëfeu ajo.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *