• |
ide | kryesore

Dëshmia e Dumanit/ SPAK: Urdhrin e nxorëm vetëm për 1 gazetar

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
spak



Urdhri i Prokurorisë së Posaçme Kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për të ndaluar publikimin e dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani dhe bashkëpunëtorit të tij Henrik Hoxhaj ka shkaktuar reagime të shumta.

Në këtë urdhër SPAK citonte edhe nene të kodit penal për “nxjerrje të sekretit” që dënohet deri në 5 vite burg. Por komuniteti i gazetarëve e dënoi njëzëri në rrjetet sociale këtë urdhër duke i bërë të ditur SPAK se është ai që ka për detyrë të mbajë sekretet e tij.

Kjo ka bërë që SPAK të bëjë një “prapaktheu” se urdhri bënte fjalë vetëm për gazetarin e Ora Neës, Elton Qyno, i cili sipas SPAK ka publikuar disa te dhëna sekrete, që shkonin përtej vendimit të gjykatës me objekt caktimin e masave të sigurimit personal.

SPAK thotë se po kryen te gjitha veprimet hetimore të nevojshme për të sqaruar rrethanat në të cilat informacioni hetimor sekret është transmetuar tek personat që më pas e kanë publikuar atë. Në njoftim thuhet gjithashtu që informimi i opinionit publik nuk mund dhe nuk duhet të cenojë një hetim të filluar.

Njoftimi i SPAK:

Nisur nga interpretimet e bëra në media, lidhur me urdhrin e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, datë 14.06.2022 ‘’Për ruajtjen e sekretit, ndalimin e publikimit të akteve dhe përmbajtjes së tyre’’ sqarojmë se ; Ky urdhër i është komunikuar në datën 16.06.2022 gazetarit E.Q, kundrejt nënshkrimit për marrjen dijeni, pasi gazetari ka publikuar disa te dhëna sekrete, që shkonin përtej vendimit të gjykatës me objekt caktimin e masave të sigurimit personal ‘’arrest në burg’, në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 dhe që në përputhje me nenin 295/a/4 të Kodit Penal përbëjnë akte sekrete të procedimit penal nr.75/2022.

Sqarojmë se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, këtë urdhër ia ka adresuar vetëm një gazetari dhe për arsyen konkrete të sipërcituar. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po kryen te gjitha veprimet hetimore të nevojshme për të sqaruar rrethanat në të cilat informacioni hetimor sekret është transmetuar tek personat që më pas e kanë publikuar atë, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë të personit/personave që ka/kanë nxjerrë sekretin hetimor. Ne mirëkuptojmë interesin e mediave për informimin e opinionit publik, por ky interes nuk mund dhe nuk duhet të cenojë një hetim të filluar dhe as sigurinë publike apo individuale të personave emrat e të cilëve janë përmendur gjatë hetimit, i cili vazhdon.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *