• |
ide | kryesore

Mediat peruane: Si mafia shqiptare ka marrë në dorë trafikun e kokainës

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



“Alarmi i policisë peruane të antidrogës u aktivizua kur shqiptarët Franc Malo dhe Gentjan Meta hynë ilegalisht në vend përmes Huaquillas, në kufi me Ekuadorin, në nëntor 2021. Duke kontrolluar rekordet e shqiptarëve, inteligjenca kundër narkotikëve zbuloi se kush ishin dhe se kishte të dhëna për trafik droge në vendin e tyre, Shqipëri”.

Kështu nis një shkrim i gjatë i gazetës peruane “La Republica” që ka zbuluar detaje nga arrestimi i shqiptarëve që tentuan trafikimin e mbi 2.2 ton kokainë të sekuestruar pak ditë më parë nga policia vendase.

Sipas gazetës peruiane, policia nisi ndjekjen dhe vëzhgimin e shqiptarëve sapo ata hynë në vendin e tyre derisa u arrestuan në një operacion të kryer më 10 dhe 11 qershor.

Franci dhe Gentjani tentuan ta trafikonin drogën në mënyrë të lëngshme të kamufluar në një ngarkesë me asparag të konservuar, e cila synohej të dërgohej në një kontejner transporti me destinacion Roterdamin në Holandë.

Prania e trafikantëve shqiptarë të drogës në Ekuador dhe Kolumbi është bërë më e fortë në dekadën e fundit. Këto organizata përfitojnë nga eksportet e frutave dhe produkteve të tjera bujqësore në Evropë, për të infiltruar kokainë në sasi të mëdha.

Megjithatë, episodet e fundit të dhunës midis organizatave kriminale shqiptare dhe organizatave të tjera kolumbiane dhe meksikane në territorin ekuadorian, i kanë inkurajuar të parat të eksplorojnë territorin peruan sepse prodhimi i kokainës në vend është rritur dhe ka një furnizim më të madh.

Më 22 janar të këtij viti, shqiptari Ergys Dashi, i konsideruar si kreu i trafikut të drogës në Ekuador u ekzekutua në një restorant Guayaquil, citon lapsi.al. Udhëtimi i Franc Malo dhe Gentjan Meta në Trujillo lidhet me interesin e shqiptarëve për të gjetur një mjedis më pak të komplikuar se Ekuadori për të eksportuar kokainë në Evropë.

Operacioni u quajt “Bitcoin” sepse mafia shqiptare synonte të përdorte sistemin e kriptomonedhës si një mjet pagese, për të shmangur gjurmimin e parave.

Pasi anashkaluan kontrollet kufitare, Franci dhe Gentjani u strehuan në hotelin luksoz “Trujillo”. Gjithçka tregon se ata kanë mbërritur me një axhendë të rregulluar paraprakisht.

Sapo u vendosën në hotel, shqiptarët kontaktuan Ronny Silva León, 35 vjeç, një biznesmen që dominon menaxhimin e agroeksportit të produkteve ushqimore. Sipas burimeve të policisë antidrogës, Silva prej disa kohësh ishte nën vëzhgim pasi dyshohej se punonte për organizata kriminale të trafikut të drogës.

Në lojë hyri edhe një peruan tjetër i identifikuar si Luis Ramos që bleu 16 mijë kanaçe asparagus për llogari të kompanisë “Fresh Trade”.

Ngarkesa u fut në 16 barela druri dhe secila prej tyre përmbante afërsisht 1000 kanaçe me asparag. Gjithçka u ruajt përkohësisht në një magazinë të marrë me qira nga mafia në Trujillo.

Ismael Jiménez dhe Ronny Silva mbikëqyrën me përpikëri punën e kondicionimit të drogës së lëngshme në kanaçet me asparagus. Konservat mbanin logon Fresh Trade-Fine Asparagus.

Sipas bisedave telefonike të përgjuara, shqiptarët u kishin dhënë një afat trafikantëve Trujillo për të hequr ngarkesën e drogës brenda qershorit të këtij viti.

“Ne jemi kundër kohës. Duhet t’a nxjerrim jashtë menjëherë. Ata më bëjnë presion. Asparagu nuk mund të presë më”, – i tha Ronny Silva partnerit të tij Ismael Jiménez.

Dhe kështu u bë. Më 9 qershor, trajleri i drejtuar nga Luis Vásquez Colquier u largua nga qyteti i Trujillo në drejtim të portit të Callao, pa e imagjinuar që agjentët e antidrogës po e mbanin nën vëzhgim. Ai shoqërohej nga Luis Ramos Peláez, menaxheri i kompanisë Fresh Trade.

Policia arrestoi menjëherë 7 peruanë ndërsa shqiptarët Franc Malo dhe Gentjan Meta u arratisën. Për policinë e antidrogës mafia shqiptare do të tentojë sërish eksportin e drogës.

“Kjo mafie e drejtuar nga shqiptarët kishte si qendër operacioni qytetin Trujillo, ku lehtësonin të gjithë logjistikën për të transportuar drogën përmes portit të Callaos. Destinacioni i tyre ishin portet e Evropës, kryesisht Roterdami, në Holandë dhe Antëerp, në Belgjikë”, – tha një nga zyrtarët e policisë.

Ai raportoi se droga në zonën e prodhimit ka një vlerë prej 1500 deri në 2000 dollarë për kilogram. Nëse transferohet në Lima, ose në portin e Callao, vlera e tij trefishohet.

“Çmimi i drogës në kontinentin europian apo në Holandë mund të arrijë në 100 mijë dollarë për kilogram”, – tha ai.

Autoritetet policore konfirmuan se operacioni Bitcoin tregon se organizatat kriminale shqiptare kanë filluar të zhvillojnë aktivitete të trafikut të drogës në një shkallë më të gjerë. ©Përktheu në shqip LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *