• |
ide | kryesore

Vendosnin “gjoba” nëpërmjet rrjeteve sociale, arrestohen dy persona

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin “Hackers” për goditjen e mashtrimit kompjuterik.

Policia ka arrestuar dy shtetas, të cilët iu vidhnin llogaritë në rrjetet sociale shtetasve të ndryshëm dhe u kërkonin para për t’ua rikthyer.

Gjatë aksionit, janë sekuestruar 1 pajisje kompjuterike, 2 aparate celulare, dokumente arsimore të dyshuara të falsifikuara dhe dokumente të tjera të ndryshme.

Detaje nga policai: 

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni u ndaluan shtetasit:

P. A., 59 vjeç, banues në Tiranë, më profesion mësues, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik“, kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikim i dokumenteve shkollore”;

L. P., 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet disamujore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u vidhnin llogaritë në rrjetet sociale shtetasve të ndryshëm, të cilëve më pas u kërkonin para, që t’ua rikthenin llogaritë e tyre.

Shtetasi L. P., pasi administronte llogaritë në rrjetet sociale, të vjedhura nga përdorues të ndryshëm, i kontaktonte ata që të paguanin para për rikthimin e llogarive, ndërsa shtetasi P. A. tërhiqte nga njësitë e transfertave të parave, shumat e përfituara nga ky aktivitet kriminal.

Në vijim të veprimeve hetimore, gjatë kontrollit u gjetën disa dokumente shkollore (dëftesa), të dyshuara të falsifikuara, që i posedonte shtetasi P. A., të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me 1 pajisje kompjuterike, 2 aparate celulare, dokumente institucionesh financiare dhe dokumente të tjera të ndryshme.

Nga ana e Njësisë për Hetimin e Krimit Kibernetik po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal në fushën e mashtrimit kompjuterik.

Materialet iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *