• |
ide | kryesore

Largon 15 e nis blerjet ‘me shumicë’: zakonet e Gjicit, problemi i Kukësit

-Instant, F1, Sport

Aktiv në merkato, për Kukësin, është një term krejtësisht normal dhe nuk ka rëndësi nëse është ajo e verës apo e janarit, nëse është ndërtuese apo riparuese. Ajo që më shumë se gjithcka i shkon për shtat klubit të presidentit Safet Gjici është merkato revolucionarizuese. Që kur është ngjitur në Superiore dritaret e merkatos për veri lindorët janë spastrim emrash të panumërt e vërshim ardhjesh për të plotësuar numrat e ndryshuar fytyrat. Për pak kohë edhe funksiononte, ndoshta edhe për këtë Gjici e bëri traditë, por kohët e fundit gjërat nuk po shkojnë ashtu si presidenti shpresonte.


Sigurisht kjo nuk e ka bërë të ndryshojë mendje, sepse edhe tani janë 15 futbollitët e larguar nga Kukësi sapo ka përfunduar kampionati, shumë pak prej tyre të mbërritur më herët se qershori i vitit të kaluar: De Lucas, Marku, Xhika, Musta, Hila, Shkurtaj, Gligorov, Krnic, Puntus, Bahtiri, Milunovic, Lulaj, Dragoshi, Pellumbi e Feizao, të gjithë jashtë, me mbrojtësin të kthyer mbrapsht pas huazimit e sulmuesin brazilian të huazuar te Shakhtyor Soligorsk, me bjellorusët që kanë të drejtën e blerjes.


Sigurisht kur ndryshon drejtimi teknik cdo vit është e kuptueshme që cdo trajner ka preferencat e tij dhe Feizao për Gegën nuk ishte i përshtatshëm, ndryshe nga Kote, që tekniku e ka patur me vete që kur ishte te Partizani e u shpall kampion. Mesfushori u zyrtarizua nga klubi, që ka shumë punë për të bërë për të zëvendësuar një dyzinë lojtarë. Po te Kukësi kështu funksionojnë, i largojnë me shumicë e i marrin me breshëri.

Në të njëjtën ditë klubi zyrtarizoi e prezantoi edhe sulmuesin kroat Ante Živković, me 29-vjeçarin që ka firmosur një kontratë 2 vjeçare. Lojtari vjen nga kampionati boshnjak ku është aktivizuar me Banja Luka, ndërsa nga kampionati maqedonas ka mbërritur edhe mbrojtësi Antonio Ilieski. Maqedonasi 25-vjeçar, ish-Tetova, ashtu si dhe dy të tjerët e prezantuar nga Kukësi kanë firmosur për 2 sezone.

Të tre janë vetëm të parët e një fushate të bollshme, si diktojnë shifrat. Sa e vështirë do të jetë të bëhet grup një ekip me konstruksion të tillë i takon Gegës ta thotë, por ajo që është e sigurtë është se Kukësi po i bën gjërat si zakonisht.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.