• |
ide | kryesore

Tre fusha të reja në Orikum e Divjakë: projekti “100 Fushat” përmirëson infrasktrukturën e futbollit

-Instant, Sport



Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon të investojë në infrastrukturën sportive në kuadër të projektit “100 Fushat”, duke mbështetur zhvillimin dhe masivizimin e futbollit në çdo cep të vendit. Në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së është miratuar vendimi për rikonstruksionin nga e para të tre fushave të përmasave standarde në Orikum dhe në Divjakë në bashkëpunim dhe në bashkëfinancim 50% me 50% me njësitë vendore të këtyre qyteteve.

Më konkretisht, është vendosur të bëhet një ndërhyrje rrënjësore në fushën ku luan ndeshjet skuadra e KF Orikut, duke filluar që nga fusha e re me bar articial e për të vazhduar me sistemin e rrethimit. Një investim që kap vlerën e 200 mijë eurove në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë e që do t’ia ndryshojë totalisht fytyrën kësaj fushe, duke e kthyer në një ambient cilësor që do ta ndihmojë këtë klub për krijimin e kushteve të duhura për të gjitha ekipet e moshave.

Po ashtu, në të njëjtin vendim është miratuar rikonstruksioni i plotë i dy fushave në Bashkinë e Divjakës me po të njëjtën skemë financimi me FSHF-në. Bëhet fjalë për dy fusha standarde ekzistuese, me njërën që ndodhet në qytetin e Divjakës ndërsa e dyta në njësinë administrative Tërbuf, Çermë Sektor. Kostoja e këtyre dy fushave do të jetë rreth 300 mijë euro, me njërën prej tyre që do të jetë më bar natyral, teksa është për t’u theksuar se me këtë investim do t’i jepet një hov cilësor futbollit në këto dy qytete.

Federata Shqiptare e Futbollit mbetet e angazhuar në qëllimin e saj për përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe për të rritur cilësinë e futbollit dhe afrimin e të rinjve me këtë sport, duke i krijuar atyre kushte sa më të mira. Me projektin “100 Fushat” në bashkëpunim me njësitë vendore të Shqipërisë, FSHF synon të rrisë ndjeshëm nivelin e infrastrukturës dhe të shtojë inventarin e fushave në territorin e vendit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *