• |
ide | kryesore

“Jam shumë e re ta mbyll jetën, dua të iki nga këtu”, gazetarja rrëfen bisedën me motrën e Nuredin Dumanit

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Motra e serial-killerit me pagesë Nuredin Duamani, ka dhënë këtë të hënë dorëheqjen nga detyra që mbante në Ministrinë e Punëve të Jashtme shqiptare. Në lidhje me rastin ka reaguar dhe gazetarja Klodiana Lala, e cila ka rrëfyer bisedën e bërë me Xhuljana Dumanin.

nuredindumani-ministriaejashtme

Sipas gazetares motra e serial-killerit i ka rrëfyer se jeta e saj po merr fund edhe pse nuk ka bërë asgjë të gabuar. Lala shton se Xhuljana i ka treguar se po planifikon të largohet nga vendi.

Teksa ditën e sotme Xhuljana Dumani motra e Nuredin Dumanit dha dorëheqjen nga detyra në Ministrinë e Jashtme, gazetarja Klodiana Lala rrëfen një takim që pati me të renë.

Në një reagim, gazetarja Lala tregon detaje nga biseda me motrën e Dumanit, e cila thuhet se ka vendosur që të largohet nga Shqipëria.

REAGIMI I GAZETARES

Xhuljana Dumani dhe skandali që përfshin institucionet

Xhuljanën e takoj në një lokal të vogël diku në Tiranë. Kishte shumë stepje të fliste me një gazetar. Por, pranoi pikërisht në ditën kur Elvi Fundo, publikoi lajmin se Xhuljana Dumani, ishte pajisur me certifikatë sigurie dhe sipas tij kishte akses të informacionet e sekret në Ministrinë e Jashtme. E studiova me kujdes vendin ku do të bisedoja më të. Zgjodhëm një vend, pa shumë vëmendje. Kjo, sepse përballë kisha motrën e Nuredin Dumanit, të penduarit të drejtësisë, që po rrëfehet para SPAK për vrasje e atentate mafioze të ndodhura në Tiranë, Durrës, Elbasan e Lezhë. Po punoja me rastin e saj dhe prisja që 24-vjeçarja të merrej në mbrojtje nga Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, e më pas të publikoja. Doja së pari të sigurohesha që nuk ishte në rrezik për jetën.

“Nuk ke mbrojtje – e pyes. Jo, nuk kam pranuar. Nuk mund të jetoj si në burg. Të rri diku në Shqipëri, pa bërë asgjë. Nuk kam as besim tek autoritetet”, përgjigjet qetë. “Do të kisha ikur vetëm me një kusht, të më largonin jashtë vendit. Të kisha mundësi të punoja. Jam shumë e re të mbyll jetën time” – vijon ajo. Por, kriminelët kundra të cilëve mund të përdorin ty si karrem, të të shantazhojnë që Nuredini të tërhiqet nga dëshmia – i them. Mund dhe të vritesh – vijova.

“Nuk mund ta bëjnë këtë. Vërtetë është gjaku im, por nuk di asgjë rreth asaj çfarë ka bërë Nuredini”, më thotë. Prokurorët e SPAK mbase mund ta sqarojnë zyrtarisht, se përse Xhuljana u la jashtë sistemit të mbrojtjes. A mundet në raste të tilla, kaq sensitive, që pjesëtari i një të penduari drejtësie të jetë pa mbrojtje të posaçme, edhe në rastet kur nuk pranon? “Kur u punësove në Ministrinë e Jashtme? – e pyes. Procedurë e gjatë – më thotë.

“Aplikova online në kuadër të programit Kombëtar të Praktikave të Punës. Fitova të drejtën për të kryer praktikën 3 mujore pranë Ministrisë së Jashtme. Praktikën e nisa me 16 gusht 2021”, rrëfen Xhuljana. Ajo thotë se sipas ligjit, 2 për qind e studentëve që bëjnë praktikë, duhet të qëndrojnë pranë institucionit dhe lidhin kontratë pune. “Një prej këtyre studentëve isha unë. Kam punuar shumë dhe u përzgjodha. Më 25 janar 2022 më është lidhur kontrata 1-vjeçare e punës”, rrëfen vajza. Por ju jeni motra e një të akuzuari për shumë vrasje, nuk mund të pajisesh me certifikatë sigurie, – i them – institucionet kanë shkelur ligjin me ju. Kishin detyrë të kryenin hetime të thelluara. Ju keni kontakte të papërshtatshme, për shkak të përfshirjes në krim të organizuar. “Nuk kam asnjë lidhje me aktivitetin e vëllezërve të mi. Ata i kanë hyrë asaj rruge, le të mbajnë përgjegjësi. Përse duhet të penalizohem unë. Nuk kam ndikuar te askush. Skeda ime penale është e pastër”, thotë ajo.

Nuk mjafton kjo – e vijoj unë bisedën. “Jeta ime po merr fund. Nuk kam bërë asgjë të gabuar – psherëtin – vëllezërit e mi zgjodhën atë jetë, unë zgjodha të bëja diçka tjetër”. Nuredin Dumani, nuk është i vetmi pjesëtar i familjes i dyshuar për përfshirje në krim të organizuar. Edhe djali tjetër i familjes Dumani ndodhet prapa hekurave, duke vuajtur një dënim për “shfrytëzim femrash për prostitucion”. Por, për institucionet kjo nuk përbënte asnjë problem dhe Xhuljana mund të pajisej me certifikatë sigurie.
Xhuljana mund të mos jetë fajtore. Mund të jetë e vërtetë siç ajo thotë se s’ka asnjë lidhje me krimet që kanë kryer vëllezërit e saj.
Faji është i institucioneve. Ata janë përfshirë në një skandal të paprecedentë. Dhe nuk është vetëm një institucion, por disa të tillë. Nëse DSIK (Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar), siç rezulton ka dhënë vlerësim pozitiv për të, atëherë dhe të gjitha institucionet e tjera të cilave DSIK ka për detyrë t’u drejtohet, siç është SHISH, policia, prokuroria, etj janë po ashtu të përfshira.
Zyrtarët duhet të shpjegojnë se çfarë verifikimesh kryen për emrin e Xhuljana Dumanit. A kishin ata dijeni që ishte motra e një të shumëkërkuari, sepse Nuredin Dumani ishte ne kërkim, kur ajo lidhi kontratën e punës me Ministrinë e Jashtme.
A hetuan institucionet nëse Xhuljana kishte kontakte me të vëllanë dhe a ka dyshime se ajo e ka ndihmuar teksa ushtronte detyrën në Ministrinë e Jashtme?

Ajo e mohon kategorikisht. Këmbëngul se asnjëherë nuk është përfshirë në historitë e tyre, as të Nuredinit dhe as të vëllait tjetër të dënuar. Por e gjitha kjo, nuk është histori e një vajze që kërkon të realizohet në jetë, të ngjitet deri në majat e karrierës. Është një histori ku ndërthuren shumë interesa, të krimit, politikës, drejtësisë. A do të largohesh nga Ministria? Do ta japësh dorëheqjen?

Po, do ta bëj. Do t’ju informoj – thotë vajza. Ecim pak metra krah njëra-tjetrës. E përshëndes dhe largohem. Ajo zhduket në një rrugicë, për të shkuar në shtëpinë ku jeton prej më shumë se 3 vitesh me qira. “Unë hoqa dorë nga çdo ëndërr për një jetë dinjitoze. Do të iki nga këtu”, thotë vajza. Xhuljanën vërtetë mund të jetë viktima e rrethanave që e lidhin me vëllezërit. Sot nuk duhet folur vetëm për të. Fokusi duhet të jenë institucionet. Sepse rasti i motrës së Nuredin Dumanit bëri shumë bujë, për shkak të rrethanave. Por sa zyrtarë të tjerë mund të kenë kaluar filtrin e institucioneve dhe të kenë në duar certifikata sigurie, që ju lejon të kenë akses në sekrete shtetërore. Sekrete që mund të rrezikojnë sigurinë kombëtare. Ky rast, është alarmant. Ka nevojë për hetim të thelluar. Përgjegjësit duhen ndëshkuar. Xhuljana ndërkohë jam e sigurt, se do të kërkojë azil. Këtë të fundit nuk ma konfirmoi.



5 Comments

    1. Fli o popull fli se e ke ne terezi.
      Filloni lajkat tani per qeverine,punoni per kriminelet dhe ta gezoni tiranine,e meritoni,dmth e meritojme.
      Shume njerez te ftilluar,menjanohen duke thene se s’kemi faj ne,jane delet e pa ditura pergjegjese per kete gjeme ne te cilen ndodhemi.
      Por jo,pjesa e madhe injorante e popullit vertet shitet per nje thes miell,por cfare bejne ata te ftilluarit per ti hapur syte deleve?
      E pra pergjegjes jemi te gjithe,se ne qofte se injorantet shiten me nje thes miell,disa te ditur shiten me nje vile apo kushedi çfare.
      Shume pak individe kane mbetur te ndershem (rëndom quhen budallenj nga hajdutet e pa ngopur).
      Por sado e pa shprese te na duket situata,gjithmone gjendet nje zgjidhje.
      Dhe kjo zgjidhje vjen kur te shohim te gjithe me syte çele,mjaft më somnambul,te kerkojme dinjitetin e neperkembur dhe jo te presim gjithmone nga te tjeret.
      Bashkimi ben fuqine,te reagojme te gjithe me gjithe aftesine tone per ndikuar sa te mundemi te ata qe kane nevoje per nje shtytje.
      Te kuptuarit e plote nga te gjithe ne,çon ne fillimin e zgjidhjes,por keshtu si jemi tani, te indoktrinuar nga propaganda e pa ndalur e mafies shteterore,kjo zgjidhje duket larg.
      Me mire vone se kurre!

  1. “Po me mer fund jeta…” etj etj
    O gazetare!
    A keni peshtire nga vetja qe perpiqeni te beni viktime e i beni reklam nje rasti extremisht vulgar w te papergjgjshem!
    Nese kjo zonjusha eshte kjo qe thote nuk ka pse te jape intervista e te justifikoje vehten!, eshte motra e bija e nje familje me te pakten dy kriminele extra, te profilit shume te larte.
    Ajo po te kishte moral nuk do kerkonte pune ne MPJ por ishte zhdukur nga koket kembet per te filluar nje jete te re!
    Te jeni te sigurte qe ate vend pune ia kane dhene bonus nga vellai i saj , per sherbimet qe ky i fundit u ka bere.
    Publikimi i dosjes se SPAK ka qene i qellimshem, te japim informacion nga dosja qe nuk cenon porositesit “lordë” te politikes por vetem ca teegtare porosites, pasi informacioni i dhene nga i penduari ishte kolosal, dhe hetuesit e politikanet e lidhur me rastin , e dinin qe nuk mund te bllokonin rrjedhjen.
    Edhe kjo Lala eshte bere nje mashtruese injorante qe jeton ne menyren me te pandershme , me honoraret qe merr nga ato qe e dine fare mire se cfare do thote gazetarja Lala ne ekran, se ndofta i hy ne hak po thashe qe edhe tekstin ja japin!
    Ndonje dite Lapsi do na jape edhe ndonje interviste te Tan Hoxhes ku te na thohe qe Dumani e kishte enderr te behej fizikant berthamor apo piktor, po keshtu i erdhi jeta te shkretit.
    Atehere po simulojme rrjedhje te kontrolluar te informacionit, keshtu eshte me i besueshem edhe kur “lordet” do dalin pa u lagur!

  2. Kjo është punë Kallçuku, sa persona të tillë ka çertifikuar … edhe kur kishte përgjigje negative nga institucionet tjera … do vijë një ditë kur këto do japin llogari…

  3. Dakord sdo qe tea mbyllesh jeten e re sic do deshironte cdokus, por mos harro sa jete ka mbyllur yt vella, me leket e te cilit ti ushqehesh dhe vishesh dhe se fundmi fillon pune nje nje nga Ministrite kyce te shtetit shqiptar. Do ishte mire te mbyllje gojen dhe te ulje koken e jo te na mallengjsh me intervista provinialesh

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *