• |
ide | kryesore

“Ose Real, ose asgjë”: Rudiger tregon si refuzoi Barcelonën në ditën e prezantimit në Madrid

-Instant, Sport



Është dita e Antonio Rudiger. Pas angazhimeve me kombëtaren, mbrojtësi gjerman fluturoi drejt Madridit, iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore dhe u prezantua para shtypit në shoqërinë e Florentino Perez: “Është nder të jesh në klubin më të madh të historisë”. Ish-mbrojtësi i Chelsea zgjodhi fanellën me numrin 22, të liruar pas lamtumirës së Iscos. Butragueño, drejtor i marrëdhënieve institucionale të Blancos, e përshëndeti gjithashtu blerjen e re: “Nga sot, Real Madrid është shtëpia jote”.

“Është një ditë shumë e veçantë për mua dhe gjithë familjen time. Fillimisht dua të falënderoj prindërit e mi: pa ata nuk do të kisha arritur dot këtu. Më kanë mbështetur gjithmonë – tha Rudiger – Në të njëjtën mënyrë do të doja të falënderoja Florentino Perez, që më dha mundësinë të luaj për këtë klub të madh. Unë premtoj se do të jap gjithçka për Real Madrid. Dua të fitoj sa më shumë tituj. Hala Madrid.”

Qendërmbrojtësi gjerman zbuloi se kontakti i parë mes menaxherit të tij dhe klubit spanjoll ndodhi në shtator të vitit 2021, por ajo që bëri diferencën këtë herë ishte prania e Ancelottit në pankinë: “Kam folur drejtpërdrejt me të në prill dhe ishte momenti më i rëndësishëm. Jam këtu falë Ancelottit”. Rudiger tha se ishte gjithashtu shumë i motivuar nga konkurrenca e madhe që do të ketë me mbrojtësit e tjerë të merengues, veçanërisht Militao dhe Alaba: “Është normale që një klub si Madrid të ketë shumë lojtarë të mirë, por unë kam besim të madh te vetja ime. Dua të sjell konkurrencë, gjithmonë të shëndetshëm, në mënyrë që të gjithë të vazhdojmë të përmirësohemi. Jam shumë entuziast, mezi po pres”.

Në fund, si për ti bërë qejfin tifozëve Blancos, Rudiger konfirmoi edhe interesimin ndaj tij të Barcelonës: “Po është e vërtetë, ka pasur një interes, por vëllait tim i thashë: ose Real ose asgjë”. Dhe kështu ndodhi, edhe pse nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Mbappè, zgjedhjen e të cilit për të refuzuar Realin e për të qëndruar te PSG e ka komentuar edhe Rudiger: “Unë nuk e njoh atë, por sinqerisht nuk e kuptoj se si e mori këtë vendim. Secili merr vendimet e tij, është zgjedhja e tij”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *